Bundesliga/ Schalke jep shenja jete, Union Berlin ‘harron’ si fitohet

Schalke 04 jep shenja jete, teksa ka regjistruar fitoren e dytë radhazi dhe ka lëshuar vendin e fundit të renditjes.

Skuadra e drejtuar nga Thomas Reis ia doli të triumfojë 0-2 në transfertën ndaj Bochumit, një rival direkt për mbijetesën dhe të ngjitet në kuotën e 19 pikëve, në vendin e parafundit.

Një autogol i Reimann në fundin e pjesës së parë dhe goli i Butler në minutën e 79-të, vulosën suksesin e Schalkes, që tani beson më shumë se kurrë te mbijetesa dhe do të provojë deri në fund qëndrimin në elitën e futbollit gjerman.

Vijon të zhgënjejë Union Berlin, që nuk fiton për të tretën ndeshje radhazi, teksa pasditen e sotme nuk shkoi dot përtej barazimit pa gola ndaj Kolnit në shtëpi.

Fitorja e fundit e berlinezëve daton më 11 shkurt në transfertën ndaj Leipzig dhe tani skuadra duhet të shqetësohet për të ruajtur një vend në zonën Champions.

Në ndeshjet e tjera, Augsburg ia doli të triumfojë me rezultatin 2-1 ndaj Werder Bremen, ndërsa Mainz mposhti me rezultatin minimal 1-0 Hoffenhaimin.