Do sfidonte autokratin jetëgjatë, dënohet kreu i opozitës në Kamboxhia
Lideri më i njohur i opozitës në Kamboxhia është dënuar me 27 vite arrest shtëpiak për tradhti.
Sipas BBC, Kem Sokha, ish-drejtues i Partisë për Shpëtimin Kombëtar, tanimë e shpërbërë, nuk lejohet të konkurrojë në zgjedhje.
Ai akuzohet se ka komplotuar me fuqitë e huaja për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Hun Sen.
Hun Sen është një nga autokratët më jetëgjatë në botë, pasi është në pushtet që prej vitit 1985.
Kamboxhia pritet të mbajë zgjedhje të përgjithshme në korrik. Shumë besojnë se Hun Sen do të garojë sërish, por ka edhe nga ata që thonë se po planifikon t’ia kalojë pushtetin të birit, Hun Manet.
Avokati i Kem Sokha tha se do e apelojë vendimin.
Ndërkohë qeveritë perëndimore thanë se ky vendim është i pabazuar dhe i motivuar politikisht.