‘Skandali Rama-McGonigal tronditës’, Senati i SHBA: Kemi nisur hetimet

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë në seancën plenare se ai nuk është nën hetim për skandalin ‘McGonigal’, ndërkohë që Senati i SHBA ka nisur hetimet duke deklaruar se çështja është tronditëse.

Rama u shfaq i shfazuar në sallën e Kuvendit ku foli për skandalin "McGonigal" dhe u tall me aktakuzën amerikane, ku përmendet 14 herë emri i tij.

Si zakonisht, Rama përdori strategjinë e sulmit ndaj opozitës dhe minimizimit të skandalit duke thënë se nuk ka asnjë kompromentim që i përmendet emri 14 herë në aktakuzën e Departamentit të Drejtësisë si njeriu që i ka dhënë ryshfet zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal për ta përdorur si "pushkë" kundër opozitës dhe liderit të saj, Sali Berisha.

Rama i pranon si fakte të gjitha herët kur emri i tij përmendet në aktakuzë, si për rastet kur takohet me ish-zyrtarin e FBI-së ashtu edhe me personat A dhe B në aktakuzë, por mohon që në ndonjë rast të ketë akuza apo “krime të kryera.”

Por ndryshe nga sa deklaroi ditën e sotme kryeministri Rama, Senati amerikan është tronditur pasi ka nisur hetimet për skandalin e rëndë të Charles McGonigal.

Ky hetimi i nisur nga Senati, jo vetëm e tremb Edi Ramën por edhe paralajmëron fatin e pritshëm të tij, përballjes me akuzat e drejtësisë.

Një nga senatorët më të fuqishëm demokratë, Dick Durbin, që drejton Komisionin Hetimor të Senatit, ka kërkuar më shumë informacione për hetimet në lidhje me ish-drejtuesit e FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal.

Ai i ka dërguar një letër të hapur drejtorit të FBI, Christopher Wray, duke kërkuar të dhëna.

“Këto akuza janë jashtëzakonisht tronditëse dhe ngrenë shqetësimin për ndikimin e mundshëm që kjo sjellje e keqe mund të ketë pasur në çështjet e kundërzbulimit të FBI-së dhe hetimet penale,” thuhet në letrën e senatorit.

“Si drejtues i zyrës së FBI në Nju Jork, McGonigal ka mbikëqyrur shumë hetime të ndjeshme të kundërzbulimit, duke përfshirë edhe hetime që përfshijnë individë që ai tani është nën akuzë se ka punuar me ta për të përfituar,” shton letra.

Në letër theksohet se McGonigal është nën akuzë se ka fshehur marrjen e 225 mijë dollarëve nga një ish-punonjës i inteligjencës shqiptare.

Durbin kërkon të mësojë nëse janë ndikuar hetimet, dhe sa nga hetimet që ai McGonigal ka mbikëqyrur, janë kompromentuar potencialisht. Durbin pret përgjigje deri më 15 shkurt.

“Sjellja abuzive e zotit McGonigal mund të ketë ndikuar në shumë çështje të ndjeshme, duke përfshirë nëse ai ka kompromentuar burime, metoda apo analiza të ndjeshme. Nëse kjo sjellje abuzive e tij mund të ketë ndikuar në rezultatin e ndonjë hetimi apo ka kompromentuar më tej sigurinë tonë kombëtare, kjo mbetet e panjohur për momentin,” thekson senatori.