Zihen me grushta, procedohen 5 të mitur/ Policia i gjen 17 vjeçarit 2 kallashnikov dhe 800 fishekë

Një ngjarje e rëndë mund të kishte ndodhur ditën e djeshme në Burrel pasi pesë të mitur nga 15 deri në 17 vjeç janë konfliktuar fizikisht mes tyre.

Sipas njoftimit të policisë, njerit prej tyre, shtetasit R. Z. 17 vjeç i janë gjetur dy armë zjarri kallashnikov dhe 800 fishek që i kishte fshehur në një vend me barishte, të cilat dyshohej se mund ti përdorte në këtë konflikt.

Njoftimi i policisë/ Mat

Falë ndërhyrjes në kohë nga Policia, parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti mes disa adoleshentëve.

U konfliktuan fizikisht me njëri tjetrin dhe njërit  prej tyre i gjenden të fshehura dy armë zjarri kallashnikov dhe 800 fishek, pocedohen penalisht në gjendje të lirë 5 shtetas të mitur.

Rreth orës 17.00., është marrë informacion  se në lagjen "Pjetër Budi", në qytetin e Burrelit, disa shtetas po konfliktoheshin fizikisht me njëri tjetrin, menjëherë shërbimet kanë shkuar në  vendngjarje.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, është bërë e mundur kapja dhe shoqërimi në Komisariat i shtetasve M.L., 15 vjeç; A.D., 16 vjeç; L.H., 16 vjeç; K.C., 17 vjeç; R.Z., 17 vjeç, të gjithë banues në Burrel.

Këta  shtetas pas një konflikti të çastit mes njëri tjetrit për motive të dobëta, janë konfliktuar me grushte dhe si pasojë kanë mbetur të lënduar lehtë shtetasit R.Z dhe A.D.

Nga hetimet e kryera mbështetur dhe në inteligjencë informative, shërbimet e Policisë i kanë gjetur shtetasit R.Z., dy armë zjarri kallashnikov dhe 800 fishek që i kishte fshehur në një vend me barishte, të cilat dyshohej se mund ti përdorte në këtë konflikt.

Armët e zjarrit dhe sasia e municionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe vijojnë hetimet për zbardhjen se si 17-vjeçari ka siguruar armët e zjarrit.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga shërbimet e Policisë në prani të psikologut dhe nën drejtimin e Prokurorisë Mat, ndaj shtetasve të lartëpërmendur ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për veprat penale "Dëmtime të tjera me dashje", "Plagosje e lehtë me dashje",  dhe ndaj shtetasit R.Z., për veprat penale "Dëmtime të tjera me dashje", dhe "Armëmbajtje pa leje".

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.