Rama e nis menjëherë me fyerje ndaj opozitës: Ujëra të zeza, jashtëqitje...

Kryeministri Edi Rama e nisi fjalimin e tij në seancën e sotme plenare duke përdorur menjëherë fyerje ndaj opozitës shqiptare.

Ai përdori terma si ujëra të zeza apo jashtëqitje masive, duke sjellë reagimin nga salla të deputetëve opozitarë.

Por ndërkohë, Rama nuk tha asgjë konkrete për hetimet që po organizohen në SHBA ndaj tij.

“Prej javësh në Shqipëri ka shpërthyer një kanal ujërash të zeza në një përpjekje për të shfrytëzuar politikisht një proces gjyqësor në SHBA që nuk ka asnjë lidhje me shtetin shqiptar, me qeverinë e Shqipërisë apo me mua personalisht. Çfarë ka ndodhur konkretisht: Një ish-zyrtar i FBI akuzohet për një bashkëpunim të paligjshëm me oligarkun rus Deripaska. Prokurorët sipas tyre kanë pikasur edhe një sërë shkeljesh që lidhet me udhëtimet në vendin tonë, ku në aktakuzë thuhet se ai ka ardhur edhe në Shqipëri dhe është takuar me mua. Aktakuza thotë se ai nuk i ka deklaruar takimet me mua dhe ka marrë edhe para borxh. Në aktakuzë gjithashtu flitet edhe për çështjen e hetimeve të parave ruse në PD. Procesi nuk ka asnjë të akuzuar tjetër përveç personit. Kaq janë faktet. Por pavarësisht një hetimi të gjatë që unë kam marrë vesh vetëm kur ka dalë në media, nuk ka asnjë akuzë ndaj meje përveç raportimit korrekt të takimeve me mua”, tha Rama.

"Unë ju hap rrugë përfundimisht. Sot dua ta them që ndihem fajtor, madje shumë fajtor që nuk kam bërë dot atë që duhet kundër mjerimit të thellë të politikës në këtë arenën tonë, ku gëlon shejtan-budallallëku, harbutllëku, gomarllëku, pisllëku. Ku fukarallëku iu vlerave, i aspiratave dhe qëllimeve që ulet ne mexhlisin e jetës publike shqiptare, foltore më foltore dhe kanal me kanal, e ka molepsur shoqërinë, duke ushqyer nihilizmin, egoizmin dhe indiferentizmin të më shumë individëve. Kjo nuk është politika, por versioni më i saj më i degraduar, më vulgar. Politika është diçka tjetër, e lartë dhe e dobishme, për njerëzit dhe me njerëzit, për të bërë me të tjerë ndryshime që njeriu i vetëm nuk i bën dot vetëm".