Edmondi, i vetmi dhe më i fuqishmi zë i protestës: Prindër, mësojuani fëmijëve se nuk preket asnjë vajzë, motër, nënë!
Atij nuk i vjen turp, nuk i vjen rëndë që ka dalë i vetëm sot në mes të qytetit të Fierit për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve për t’i thënë ndal së bashku, krimeve makabre ndaj grave dhe vajzave.
Edmond Hoxha, 46 vjeç, prind, ka ardhur sot nga Mbrostari me një pankartë të thjeshtë të shkruar me dorë , me të drejtën e tij qytetare, kurajon, për të shprehur nga zemra dhimbjen e tij, tronditjen e madhe për masakrën që ndodhi dje në Tiranë dhe për të përcjellë, një mesazh në veçanti për prindërit që po rrisin një brez të ri.
“Protestoj në mënyrë sensibilizuese që ata prindër të këshillojnë fëmijët e tyre se nuk preket asnjë vajzë, asnjë motër dhe asnjë nënë, - tha Edmondi për gazetarët.
“Unë jam maskilist, por jam pro të drejtave të grave. Jam kundër dhunës, jam me të drejtën e Zoti që gruaja nuk preket me dorë, nuk dhunohet, nuk masakrohet!
Për mendimin tim, fajtore është gjithë shoqëria, pastaj vjen shteti, sepse ai ka dalë nga burgu, ai (Dan Hutra) që nuk di çfarë emri t’i vë, por edhe shteti mendon se ka psikologë, por psikologët vetëm marrin rrogën dhe nuk shërbejnë, mendoj unë, në burg. Ndoshta duhet një i ri që t’i drejtojë njerëzit nga Zoti, se ndoshta ai është shpëtimtari vetëm i njeriut.
Unë jam besimtar, mysliman, dhe njeriu që s’ka besim në Zot, nuk ka as nder, as besë dhe ai njeri është i pabesë.”
Kësaj proteste, a duhej t’i bashkoheshin qytetarë të tjerë?
“ Sidomos gratë, sidomos gratë! – tha ai, - sepse duhet thënë mjaft, nuk durohet më! U duhet folur fëmijët tanë se kjo është një rrugë që nuk të çon askund!” theksoi ai duke nënvizuar nevojën e edukimit me humanizëm, me mendje të hapur, me respekt mbi të gjitha ndaj shoqërisë, të një brezi të ri./ar.sh/SYRI.NET