Masakra në Kamëz/ Vasili: Drejtësia nën akuzë. Policia më parë shkon dhe arreston një protestues!
Nënkryetari i Partisë së Lirisë Petrit Vasili i ftuar në “Task Force” me Sonila Meçon në Syri Tv ka komentuar vrasjen makabre të ditës së sotme nga Dan Hutra duke thënë se drejtësia në vendin tonë ikën në të kundërt.
Vasili shprehet se qeveria e ka më të lehtë të ngrejë drone për zgjedhje elektorale, po ashtu të arrestojë protestues që dalin për të drejtat e tyre ndërsa kriminelat që po mbulojnë çdo ditë vendin po i lënë në gjendje të lirë.
“Një nga elementet thelbësore që është në sistemin e drejtësisë është që fajet e përsëritura kërkojnë dënime shumë më të rënda se më parë, pasi një faj i caktuar dënohet dhe rehabilitimi konsideron një mundësi për të dalë. Çfarë ka ndodhur këtu? Mbas një dënimi me 16 vjet burg për vrasen e bashkëshortes vite më parë, ky merr një dënim që e konsumon në një kohë fare të shkurtër. Në fund fare çfarë mbetet në finale?! Në fajin e përsëritur dhe të stërpërsëritur të tij ky merr masa më të lehta. Praktikisht duhej të merrte masa shumë më të rënda dënimi sepse ishte përsëritur dhe kurdo që të dilte duhej të ishte në një vëmendje të fortë sepse ishte një njeri recidivist.
Zemra e problemit është se këtu drejtësia është nën akuzë, dhe këmba e dytë është policia që kemi ne, që më parë shkon të burgosë një protestues që del për të drejtat e veta ndërsa një kriminel të tillë e lë të sillet vërdallë.
Kur kalon kryeministri e keni parë që ndodhen 15-17 furgona. Po ku është prokupacioni për të mbrojtur qytetarët? Këtu është një qytet që nuk ka as lëvizje të shpejta, qytet që nuk ka pafundësi rrugësh alternative ashtu siç i kanë qytetet e botës.
Këta ngrenë në sekondë helikpterët që kanë në dispozicionë për fushatat elektorale. Po ngrenë satelitët për të tallur dynjanë.
Shyqyr që u ndal ky sot me kaq se mund të vriste edhe gjashtë edhe shtatë edhe askush nuk e ndalonte.”