Marku: Me vendimin e qeverisë, Bashkia me një copë letër në dorë të shemb pallatin
Vendimi i qeverisë për të shembur ndërtesat që janë në moshën 50 vite dhe më të vjetra, ka shkaktuar reagime të shumta.
Kjo temë është diskutuar edhe në studion e Edicionit të Pasdites në SYRI TV me Armela Ferkon, gazetari Bledi Marku ka shpjeguar edhe vendimin e qeverisë.
Sipas Markut, dikujt i intereson ajo zonë që është vënë në shënjetër dhe me një akt ekspertizë, pronarët e banesave që e kanë me dokumente lajmërohen dhe kanë afat 6 muaj që të lirojnë ambientet.
‘Duke qenë se në Tiranë po kërkohen kantiere të reja ndërtimi, sigurisht Bashkia e Tiranës do të çojë në vendime të ndryshme, të cilat do ti marrin pronën njerëzve dhe më pas do të ja japin bashkisë për rindërtim për komplekse të ndryshme.
Dhe kemi rastin e Kombinatit ku po shemben pallate me justifikimin se janë prishur nga tërmeti dhe aty do të ndërtohen pallate të tjera, ndërsa ata banorë do të dërgohen në zonën e Vaqarrit.
Projekt ligji është në kryeministri, për pallatet që janë mbi 50-vjeçare, do ta cilësoja si një tjetërsim prone të individëve.
Me një akt ekspertizë, shkohet në një pallat që ka 50 apo 60 vite që është ndërtuar. Ai mund të jetë në një gjendje mjaft të mirë, por dikujt i intereson ajo zonë dhe me këtë akt ekspertizë, pronarët e banesave që e kanë me dokumente lajmërohen dhe kanë afat 6 muaj që të lirojnë ambientet.
Në momentin që autoritetet vendore dhe të thonë se banesa jote nuk është në gjendje të përshtatshme për të jetuar. Nëse banorët nuk duan të largohen, ka një vendim qeverie që e cilëson këtë banorë sikur ka hequr dorë nga pronësia dhe banesa i kalon automatikisht në pronësi bashkisë së Tiranës’, është shprehur gazetari Bledi Marku në SYRI TV.