40 viktima në Greqi/ Si u ‘paralajmërua’ tragjedia që në 7 shkurt

Rritet bilanci i viktimave nga përplasja e dy trenave në Greqi.

Raportohet se janë të paktën 40 viktima nga përplasja ballore mes një treni pasagjerësh me një tren mallrash.

Por sipas medieve greke, kjo duket se ishte një tragjedi e paralajmëruar, për shkak të gjendjes së hekurudhave greke.

Madje më pak se një muaj më parë, ishte paralajmëruar se mund të kishte një tragjedi të tillë.

Portalet në Greqi kanë publikuar një deklaratë të sindikatave të punonjësve të hekurudhës, të datës 7 shkurt. Teksa paraqitet situata e hekurudhave në vend, kërkohet që të merren masa. “Ne nuk do të presim që aksidenti të vijë,” thuhet në paralajmërin profetik.

Ndërkohë kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka vizituar vendin e tragjedisë, ku humbën jetën 40 persona, si pasojë e përplasjes së dy trenave. Ai u zotua se do të zbulohen shkaqet e plota të aksidentit fatal, teksa ka shtuar se do bëhet gjithçka e mundur për të parandaluar një tragjedi të ngjashme.

Sipas asaj që raportojnë mediat greke, kryeministri grek ka qëndruar përgjatë gjithë natës duke u informuar për zhvillimet në lidhje me aksidentin tragjik. Ai ka marrë vendim, i  cili hyri sot në fuqi, që Greqia të ketë 3 ditë zie kombëtare.