'Babai i telefonave celularë', 94 vjeç, nuk e njeh TikTok-un, por shpreson në të ardhmen e teknologjisë

Duke mbajtur celularin e rëndë si tullë të cilin e shpiku 50 vjet më parë, Martin Cooper mendon për të ardhmen.

Ai pak e dinte kur bëri telefonatën e parë nga një rrugë e Nju Jorkut me një prototip të trashë gri, se bota jonë - dhe informacioni ynë - do të mblidheshin në një këllëf xhami delikat ku ne kërkojmë, lidhim, pëlqejmë dhe blejmë.

Ai është optimist se përparimet e ardhshme në teknologjinë e telefonave celularë mund të transformojnë jetën e njerëzve, por është gjithashtu i shqetësuar për rrezikun që telefonat inteligjentë paraqesin për privatësinë dhe të rinjtë.

"Mendimi im më negativ është se ne nuk kemi më privatësi, sepse gjithçka rreth nesh është regjistruar tani diku dhe është e aksesueshme për dikë që ka dëshirë shumë të madhe për ta marrë atë," tha 94-vjeçari për Associated Press në kongresin botëror  “Mobile World Congress” në Barcelonë.

Përveç shqetësimit për privatësinë, Cooper pranoi gjithashtu efektet anësore negative që vijnë bashke mee telefonat inteligjentë dhe mediat sociale, të tilla si varësia nga interneti dhe duke e bërë të lehtë për fëmijët qasjen në përmbajtje të dëmshme.

Shumë vite nga koha kur filloi gjithçka

Cooper e bëri telefonatën e parë publike nga një telefon portativ dore në një rrugë të Manhatanit më 3 prill 1973, duke përdorur një pajisje prototip që ekipi i tij në Motorola kishte filluar ta projektonte vetëm pesë muaj më herët.

Cooper përdori telefonin Dyna-TAC për të telefonuar në mënyrë solemne, rivalin e tij në “Bell Labs”, në pronësi të AT&T.

Ishte, fjalë për fjalë, sa një tullë në dorë, telefoni i parë që peshonte mbi një kilogram dhe 27 cm.

Cooper e kaloi pjesën më të mirë të dekadës së ardhshme duke punuar për të nxjerrë në treg një version komercial të pajisjes.

Telefonata  ndihmoi në fillimin e revolucionit të telefonisë celulare, por duke u kthyer pas në atë moment 50 vjet më vonë, "atëherë ne nuk kishim mundësi ta dinim se ishte momenti historik," tha Cooper.