SYRI TV/ Aksidenti masiv në Tiranë, arrestohet shoferi i autobusit
Një ditë pas aksidentit të shumëfishtë të ndodhur në mes të Tiranës ku mbetën të lënduar 9 persona, policia ka arrestuar drejtuesin e autobusit Agron Xhafa. Pas hetimeve, ka rezultuar se 62-vjeçari është shkaktari i këtij aksidenti, teksa ai është shprehur se ka qenë i pavetëdijshëm në ato momente për shkak të problemeve shëndetësore.
Nga SYRI TV
Drejtuesi i urbanit të linjës së Unazës që u përfshi mesditën e së hënës në një aksident të shumëfishtë është arrestuar nga blutë e kryeqytetit me akuzën e veprës penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
62-vjeçari, Agron Xhafa para hetuesve ka deklaruar se nuk mban mend asgjë se çfarë ka ndodhur dhe se është i sëmurë me diabet dhe zemër. Nga hetimet u konstatua se 62- vjeçari ishte shkaktar i aksidentit ku u përfshinë 10 automjete dhe ku mbetën të lënduar 9 persona, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.
Por, ky nuk është rasti i parë ku urbanë të linjës së Unazës janë përfshirë në aksidente, ku dhe qytetarët jo pak herë kanë ngritur shqetësim, për shkak të mbipopullimit.