'Tirana nuk ka ujë, ka veç fatura të larta' - ankesa nr.1 e qytetarëve te Këlliçi

Janë të shumtë qytetarët që kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën, Belind Këlliçi ka takuar përgjatë këtij muaji, si pjesë e turit "Jam këtu t'ju dëgjoj". Një nga shqetësimet më të përsëritura mes tyre ka qenë mungesa e ujit të pijshëm dhe çmimi i lartë i vendosur nga Bashkia.

"Kryetari i bashkisë duhet të ketë parasysh një gjë, çmimin e ujit. Ne po e paguajmë shumë shtrenjtë ujin dhe e paguajmë dy herë, por nuk na vjen uji i pijshëm në rubinet. Ne e paguajmë 60 mijë lekë ujin se unë blej edhe bidonin e ujit të pijshëm. Meqenëse uji nuk më vjen i pijshëm në rubinet unë detyrohem të blej bidonin. Pra ky nuk është 35 mijë lekë më. Është 65 mijë. Ti nuk ma sjell ujin e pijshëm, por taksën ma merr. Gjithë Tirana blen me bidona", u shpreh një qytetar.

Një tjetër qytetar thotë se kosto e ujit rritet edhe për shkak të energjisë së harxhuar nga pompat e ujit. Ndërsa një tjetër banor thekson se nga mungesa e depozitës, ujin e pret të vijë dy herë në ditë nga një orë.

“Është pallat 11-katësh, imagjino. Ujë tek ne s'ka", tha ai.

"Në njësinë 9, në pjesën veriore uji ndalon gjithmonë në orën 10 të darkës, vjen gjithmonë në orën 5 të mëngjesit. Absolutisht asnjëherë nuk ka qenë i pijshëm, në asnjë moment", rrëfeu një tjetër banor.

"Ai më jep mua ujë të papijshëm. Ujin unë e blej edhe vjen më fut 84 mijë lekë ujë. Ç'është ky? Ç'është ky halabak mo?", u shpreh i indinjuar një tjetër banor i Tiranës.

Çmimi i ujit në Tiranë është rritur ndjeshëm që kur Erjon Veliaj u vendos në krye të Bashkisë. Familjarët që jetojnë në kryeqytet paguajnë 65 lekë/m3.

Vit pas viti, Veliaj ka premtuar ujë të pijshëm dhe furnizim pa ndërprerje, por premtimet kanë rezultuar gënjeshtra dhe ende në vitin 2023, qytetarët detyrohen ta blejnë ujin duke u kushtuar dyfish në fund të muajit.

Kandidati për bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi së shpejti do të paraqesë programin e tij me qëllimin e vetëm, shërbimin e vërtetë ndaj qytetarëve, larg propagandës dhe mashtrimeve të cilat prej tetë vitesh i serviren banorëve të kryeqytetit.