Bisedimet Kosovë-Serbi/ Rama flet për tradhti, bën sikur po mbron Kurtin
Kryeministri shqiptar, Edi Rama reagoi edhe pse një ditë më parë, nuk pati një marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Në një koment të shkurtër, Rama e quajti këtë një moment të rëndësishëm historik, por u përpoq të tregojë se është i shqetësuar për Albin Kurtin.
“Paqja dhe bashkëpunimi janë çelësi për të ardhmen që u detyrohemi fëmijëve tanë në këtë rajon të shkatërruar prej shekujsh nga mungesa e paqes dhe bashkëpunimit. E përshëndes rënien dakord të dy palëve për Marrëveshjen për Rrugën e Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ky është një moment historik i rëndësishëm për paqen rajonale dhe i inkurajoj fuqimisht të gjitha palët e përfshira që të vazhdojnë të punojnë për një zbatim të shpejtë. Për paqen dhe bashkëpunimin, Shqipëria është dhe do të mbetet besimtare dhe model. Ne mbështesim plotësisht çdo përpjekje për të kapërcyer të kaluarën.
Uroj që askush të mos e akuzojë Albin Kurtin për tradhti apo harresë, por gjithkush të kuptojë se kryeministri i sotëm i Kosovës ka bërë gjënë e duhur, duke hedhur një hap të parë me shumë rëndësi drejt daljes nga kurthi i të djeshmes. Hapa të tjerë pasofshin pa humbur kohë!” shkruan Rama.