Samiti i 'Open Balkan'/ Mediat në Mal të Zi: Provokim nga aksi Vuçiç-Rama
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi dje në Mal të Zi, se samiti i radhës i Ballkanit të Hapur do mbahet në qershor në Podgoricë.
Kjo deklaratë solli reagime të shumta në median malazeze, ndërkohë që asnjë zyrtar i këtij vendi nuk ka konfirmuar se do ketë një samit të tillë.
Gazeta Pobjeda shkruan se ky dukej më shumë si një improvizim provokues i Ramës.
“Mesazhi më i rëndësishëm nga takimi mes dy kryeministrave erdhi – logjikisht dhe siç pritej – nga i ftuari. Sipas kryeministrit Rama, një samit i të ashtuquajturit “Ballkani i Hapur” parashikohet të mbahet në qershor në Podgoricë.
Nuk kishte asnjë njoftim paraprak për një lajm të tillë – nëse nuk llogarisim, me gjithë vullnetin e mirë, takimin e çuditshëm të fundit në vilën “Gorica” të z. Jokoviç me kolegun e tij, Ministrin e Bujqësisë të Maqedonisë së Veriut (dhe “diskutimin me panelistë” që u organizua me atë rast), të cilin, me gjithë respekt, askush nuk e mori seriozisht.
Prandaj njoftimi i Ramës se, në vendin në të cilin ka ardhur si mysafir (?!) do të mbahet “kjo dhe ajo, atëherë dhe aty” ishte i pakëndshëm edhe për mikpritësin, i cili mundohej që të paktën në atë moment të dukej po aq i relaksuar dhe "i fuqishëm" si mysafiri i tij i lartë. Është gjithsesi një takim jozyrtar, u përpoq të improvizojë kryeministri teknik i paditur.
Megjithatë, për Abazoviçin, por edhe për Malin e Zi, mbetet një pyetje shumë më e rëndësishme: a ishte ky një improvizim i z. Rama, apo pala shqiptare thjesht shpalli vendimin për të cilin mikpritësi ishte në dijeni - por nuk na e bëri të ditur më parë - apo të cilin as që e dinte? Çfarë do të thotë nëse boshti Vuçiç-Rama planifikon takime dhe merr vendime që, volens-nolens, Shkupi zyrtar i ndjek (tani së paku) dhe që Podgorica zyrtare e cunguar nuk ka forcën dhe guximin t'ia paraqesë Kuvendit të saj dhe qytetarëve të vet?
(Kësaj radhe do e lëmë mënjanë se cilat parti dhe politikanë në Mal të Zi janë pro hyrjes në “Open Balkans”. D.m.th, me kë mendon z. Rama të bëjë histori?)?” shkruan gazetari Miodrag Vlahoviç.