Talibanët: Dy anëtarë të lartë të ISIS janë vrarë në Afganistan
Islamabad - Dy anëtarë të lartë rajonalë të grupit të Shtetit Islamik janë vrarë në Afganistan javët e fundit në operacione të veçanta nga forcat e sigurisë talebane, tha të martën një zëdhënës i talebanëve.
Forcat talebane vranë Qari Fateh, shefin rajonal të shërbimeve sekrete dhe operacioneve të ISIS gjatë një bastisjeje në Kabul gjatë fundjavës, tha në një deklaratë Zabihullah Mujahid, zëdhënësi kryesor i qeverisë talebane.
Në fillim të këtij muaji, në një operacion të veçantë në Kabul, tre anëtarë të ISIS, përfshirë udhëheqësin e lartë të ISIS, Ijaz Amin Ahingar, u vranë.
Mujahid tha se një numër anëtarësh të tjerë të ISIS, duke përfshirë shtetas të huaj që planifikonin sulme vdekjeprurëse, gjithashtu janë arrestuar ditët e fundit.
Dega rajonale e grupit të Shtetit Islamik - i njohur si Shteti Islamik në provincën Khorasan - është një rival kryesor i talebanëve. Grupi militant i ka shtuar sulmet e tij në Afganistan që nga marrja e pushtetit nga talibanët në gusht të vitit 2021. Objektivat kanë përfshirë patrullat talebanë dhe anëtarët e pakicës shiite të Afganistanit.