Si po ekspozohen paragjykimet flagrante politike të FBI-së...

Nga Miranda Devine, NEW YORK POST

Shyqyr Zotit për sinjalizuesit vetëmohues të FBI-së që po zbulojnë ideologjinë e qelbur që ka infektuar agjencinë e fuqishme federale të zbatimit të ligjit.

Informacioni i brendshëm vazhdon të tregojë se FBI abuzon me pushtetin e saj në mënyrë të rrezikshme, duke survejuar e viktimizuar amerikanët e ndershëm, ndërkohë që bën pak për të mbajtur nën kontroll krimin e dhunshëm në qytetet tona ose nuk bën asgjë për kufirin poroz që po lejon sasi industriale vdekjeprurëse droge dhe miliona migrantë të paligjshëm, përfshirë kriminelë e terroristë, të hyjnë në SHBA.

Këto kërcënime nuk janë prioritet për administratën Biden apo Departamentin e Drejtësisë të Merrick Garland, i cili është i fiksuar pas abortit mbi gjithçka tjetër.

FBI, përkundrazi, merret me prindërit në takimet e bordeve të shkollave dhe katolikët tradicionalë që shkojnë në meshën latine; ata etiketohen si terroristë vendas.

Denoncuesit, paditë për fjalën e lirë dhe Dosjet e Twitterit kanë zbuluar edhe se FBI ka bashkëpunuar me Big Tech për të censuruar amerikanët që kritikojnë administratën Biden. Në rastin e censurimit të historisë së laptopit Hunter Biden në New York Post, FBI ndërhyri në zgjedhjet e vitit 2020 në favor të kandidatit presidencial demokrat.

Byroja ka humbur rrugën

Përfundimi i vetëm nga këto zbulime alarmante është se FBI është e politizuar, e papërgjegjshme, woke, e paaftë dhe e degjeneruar nga ana kulturore.

Përdorimi flagrant nga ana e drejtorit Chris Wray i avionit të FBI-së për çështje personale është simbol emblematik i kalbjes.

FBI është bërë krahu i fortë i Partisë Demokratike, por po aq lehtë mund të ndërrojë anë dhe t'ia japë fuqinë e saj Republikanëve.

Në secilin rast është e tmerrshme për vendin, ndaj reformimi ose shpërbërja e FBI-së duhet të jetë një përpjekje dypartiake. Asnjë burokraci qeveritare nuk duhet të ketë kaq shumë pushtet dhe të jetë kaq e papërgjegjshme.

Por kur sinjalizuesi i FBI-së, Steve Friend, dëshmoi javën e kaluar pas dyerve të mbyllura në Komitetin e ri të Gjyqësorit për Armatimin e Qeverisë Federale në Dhomën e Përfaqësuesve, kontrolluar nga Republikanët, ai u demonizua nga avokatët Demokratë që synonin të vrisnin lajmësin.

Siç e tha në Daily Caller, “Fatkeqësisht, avokatët demokratë që punojnë për Komitetin hodhën akuza për shkelje kundër meje... Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe FBI janë dy anë të së njëjtës medalje”.

Friend dha dorëheqjen nga FBI pasi u shtrëngua të merrte një lehe pesëmujore të papaguar, por ai ka formuar një aleancë me sinjalizues të tjerë, si Kyle Seraphin, një agjent që u pezulluar vitin e kaluar, dhe kohët e fundit kanë nxjerrë një dokument të FBI-së që vinte në shënjestër katolikët si “ekstremistë të dhunshëm”.

Ky produkt inteligjence, me datë 23 janar 2023, shkruar nga një analist në zyrën e FBI-së në Richmond, i barazonte “katolikët tradicionalistë radikalë” me “ekstremistët e dhunshëm të motivuar nga raca apo etnia (RMVE)”.

Këta katolikë të supozuar të rrezikshëm ndjekin meshën në latinisht dhe janë kritikë karshi reformave liberale në kishë, sipas analistit të FBI-së që e barazonte besimin e tyre me “ideologjinë anti-semite, anti-imigrant, anti-LGBTQ dhe të supremacisë së bardhë”.

Prova që analisti paraqiti për këtë shpifje ishte qesharake: një raport nga Qendra Ligjore Varfëria Jugore e ekstremit të majtë dhe artikuj me tendencë në media të tilla si majtistet Salon dhe The Atlantic.

E shihni si funksionon? Një i majtë inatçor shkruan një histori qesharake dhe FBI e përdor për të krijuar historira për të justifikuar hetimet antiterrorizëm për të persekutuar katolikët.

Dhe sigurisht që nuk ka për t’u mjaftuar me katolikët.

“Shtysa e autorit mund të vlerësohet nga fiksimi mbi abortin dhe përdorimi i përsëritur i shprehjes ‘të drejtat e abortit’”, shkroi Seraphin në një artikull në UndercoverDC, ku publikoi dokumentin në fillim të këtij muaji.

 

Zbatimi selektiv

Ai gjithashtu vuri në dukje se kishte më shumë se 100 sulme në qendrat e shtatzënisë pro-jetës më 2022, por FBI duket më e impresionuar nga një raport “i pabazuar” nga SPLC i 200 sulmeve në klinikat e abortit në 20 vitet e fundit.

Kjo i jep justifikimin FBI-së të vërë në shënjestër dhjetëra aktivistë pro-jetës që kur Gjykata e Lartë përmbysi Roe kundër Wade dhe ua la sërish shteteve vendimet për abortin.

Aborti e konsumon Prokurorin e Përgjithshëm Merrick Garland për disa arsye të çuditshme. Në të gjitha fjalimet e tij vitin e kaluar, ai kurrë nuk ka folur me aq pasion për krimin siç ka folur për abortin.

Ai e nisi me një deklaratë emocionale më 24 qershor të vitit të kaluar, duke kritikuar Gjykatën e Lartë, për të cilën tha se i kishte dhënë “një goditje shkatërruese lirisë riprodhuese [veçanërisht për] njerëzit me ngjyrë dhe ata me mjete të kufizuara financiare...

“Pak të drejta janë më thelbësore për lirinë individuale sesa [aborti]. Departamenti i Drejtësisë do të përdorë çdo mjet në dispozicion për të mbrojtur lirinë riprodhuese”.

Dhe ai e ka mbajtur premtimin, duke dërguar ekipe të ndërhyrjes së shpejtë të FBI-së në shtëpitë e katolikëve pro-jetës, si Mark Houck nga Pensilvania, i cili u arrestua nën grykën e armëve në sytë e shtatë fëmijëve të tij dhe u akuzua për krime sipas FACE Act, i njohur ndryshe si Akti i Lirisë për Akses në Hyrjet e Klinikave.

Ai u shpall i pafajshëm, por rrezikoi 11 vite burg dhe sigurisht që procesi është dënimi i tij.

Një frat françeskan në Long Island dhe një baba i 11 fëmijëve në Tennessee janë mes dhjetëra të krishterëve të grumbulluar në mënyrë të ngjashme dhe të trajtuar si terroristë të dhunshëm.

Nuk është rastësi që zyra e FBI në Çikago javën e kaluar theu një traditë të gjatë dhe refuzoi të lejonte një prift të shpërndante hi për të Mërkurën e Hirit.

Ky makth përfundon vetëm me përdorimin e duhur nga ana e Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga Republikanët të denoncimeve të bëra nga këta sinjalizues, për detyruar FBI të japë llogari gjatë dy viteve të ardhshme.

Pastaj u takon votuesve që të detyrojnë administratën Biden të jetë e përgjegjshme.