SYRI TV/ Misteri i vrasjes së 22-vjeçares Joy, priten shoqërime të reja
Policia e Tiranës pritet të kryejë shoqërime të reja në kuadër të hetimit për zbardhjen e vrasjes për shkak të dhunës të 22-vjeçares keniane Joy Ayoko. Shoferi i kazinosë, Rodi Barçi është shprehur se pas datës 8 gusht 2022 nuk ka pasur më asnjë kontakt me të, ndërsa mikesha e kenianes është shprehur në polici se 22-vjecarja shantazhohej nga Barçi
SYRI TV
Kjo është rezidenca ku banonte në Shqipëri 22-vjeçarja keniane, Joy Aoko, e cila humbi jetën pak kohë më parë në një spital në Kenia.
Teksa ngjarja është ende e mbuluar mes pikëpyetjeve dhe misterit, nuk ka ende një autor të dyshuar apo të arrestuar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 14 gusht në kryeqytet.
Rodi Barçi shoferi i kazinosë, ka pranuar përpara hetuesve se ka pasur një lidhje me 22-vjeçaren keniane, lidhje të cilës i ka dhënë fund në datën 8 gusht, çka sipas tij ka qenë edhe takimi i fundit me të renë keniane.
Ndërkohë më herët nëna e 22-vjeçares ka treguar se e bija shantazhohej nga shoferi, i cili i kërkonte herë pas here marrëdhënie intime 22-vjeçares.
Këto deklarata të nënës së saj janë përforcuar nga mikesha e 22- vjeçares, Emily e cila ka konfirmuar se Joy Ayoko shantazhohej nga Redi Barçi, shoferi i kazinosë.
Gazetarja e Syri TV, Bleona Sari mëson se në kuadër të këtij hetimi priten shoqërime të reja që mund të hedhin dritë më këtë vrasje.
Policia e Shtetit si fillim u mundua të mbante të fshehtë ngjarjen, e cila u bë me dije vetëm pas ardhjes në Shqipëri të Ruth Abongo- nënës së 22-vjeçares. Policia përmes një komunikimi të zbehtë disa muaj pas ngjarjes bëri me dije se është në ndjekje të autorit, por duke lënë në hije se ndaj kujt dhe për çfarë, teksa urdhri nga Prokuroria e Tiranës për shoqërimin e shoferit të kazinos dhe shoqes së 22-vjeçares erdhi pas denoncimeve të kreut të PD, Sali Berisha, i cili është shprehur se mbrapa kësaj ngjarje fshihen njerëz me influencë.