Emigrantët e mbytur në Itali: Mbi 100 viktima, familje të tëra u zhdukën, të mbijetuarit qajnë

Ekziston frika se më shumë se 100 njerëz, përfshirë fëmijë, kanë vdekur pasi anija e tyre u mbyt në jug të Italisë.

Të paktën 63 emigrantë është konfirmuar se kanë vdekur, ndër ta 12 fëmijë dhe një foshnjë në mes të viktimave.

Anija, që mendohet se kishte rreth 200 njerëz, u përplas kur po përpiqej të zbarkonte pranë Crotone të dielën.

Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni u ka kërkuar institucioneve të BE-së që të ndërmarrin veprime për të ndaluar udhëtimet klandestine të anijeve me emigrantë.

Në bordin e anijes, e cila ishte nisur nga Turqia disa ditë më parë, thuhet se ishin njerëz nga Afganistani, Pakistani, Somalia, Siria, Iraku dhe Irani.

Trupat u gjetën në breg, në një vendpushim bregdetar aty pranë në rajonin e Kalabrisë.

Roja bregdetare tha se 80 njerëz ishin gjetur të gjallë, "përfshirë disa që arritën të arrinin në breg pas fundosjes", që do të thotë se shumë të tjerë mbetën të pagjetur.

Një i mbijetuar u arrestua me akuzën e trafikimit të emigrantëve, tha policia doganore.

Shumë nga ata në bord mendohej se ishin nga Pakistani. Kryeministri i saj Shehbaz Sharif të hënën tha se më shumë se dy duzina pakistanezë besohet të kenë qenë në mesin e të vdekurve.

Ndërsa operacionet e ndihmës dhe zhvendosjes vazhdojnë, një grup i të mbijetuarve po përpiqet të përballojë humbjen e të dashurve të tyre.

Në një qendër pritjeje të përkohshme në qytetin Isola di Capo Rizzuto, disa prej tyre qanin pa folur, disa thjesht shikonin në boshllëk, të mbështjellë me batanije.

"Ata janë shumë të traumatizuar," tha Sergio Di Dato, nga organizata bamirëse Médecins Sans Frontières. "Disa fëmijë kanë humbur të gjithë familjen e tyre. Ne po u ofrojmë të gjithë mbështetjen që mundemi."

Një djalë 16-vjeçar nga Afganistani ka humbur motrën e tij 28-vjeçare, e cila ka ndërruar jetë në plazh pranë tij. Nuk gjente forcë t'u thoshte prindërve.

Një burrë 43-vjeçar nga Afganistani mbijetoi me djalin e tij 14-vjeçar, por gruaja dhe tre fëmijët e tjerë, të cilët ishin 13, nëntë dhe pesë vjeç, nuk ia dolën dot. Një tjetër grua afgane e përlotur nuk lëvizte nga plazhi pasi humbi burrin e saj.

"Kjo është një tjetër tragjedi që po ndodh pranë brigjeve tona. Ajo na kujton të gjithëve se Mesdheu është një varr masiv gjigant, me dhjetëra mijëra shpirtra në të dhe ai vazhdon të zgjerohet," tha Francesco Creazzo, nga SOS Méditerranée, një organizatë joqeveritare e angazhuar në operacionet e shpëtimit në Mesdheun qendror.

“Nuk ka fund në dukje; në vitin 2013, njerëzit u thanë “kurrë më” arkivolëve të vegjël të bardhë të Lampedusa, në vitin 2015, ata thanë “kurrë më” para trupit të pajetë të një fëmije dy vjeçar sirian në nje plazh.

"Tani fjalët "kurrë më" as që shqiptohen më. Ne dëgjojmë vetëm "jo më largime", por fatkeqësisht njerëzit vazhdojnë të ndërmarrin këtë udhëtim dhe vazhdojnë të vdesin," shtoi ai.