Fatmir Limaj: Sot Serbia fitoi asociacionin nga njeriu që e ka kundërshtuar prej fillimit

Kryetari i Partisë NISMA në Kosovë, Fatmir Limaj deklaron se Serbia ka fituar asociacionin nga marrëveshja që pritet të firmoset. 

Në një lidhje me skype për Çim Peka Live, Limaj u shpreh se Beogradi e arriti një gjë të tillë nga njeriu që e ka kundërshtuar që në fillim, duke iu referuar kryeministrit Albin Kurti.

"Beogradi sot ka fituar asociacionin. E ka fituar nga njeriu i cili ka qenë kundërshtar nga fillimi. Sot, përfundimisht, kryeministri i Kosovës, si një nga refuzuesit, sikundër ne, ka pranuar asociacionin e komunave serbe", u shpreh Limaj. 

Kreu i NISMA dha edhe variantin e tij se si duhet të bëhet asociacioni i komunave serbe. 

"Qëndrimi im është asociacion sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me njohjen e Kosovës brenda. Kosova e përballon një asociacion që përfundon çështjet e hapura me Serbinë", shtoi Limaj.