S'ka marrëveshje në Bruksel, Vuçiç vendos kusht asociacionin
Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Mësohet se takimi i radhës do të mbahet më 18 mars.
Në përfundim të takimit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka folur për mediat pas përfundimit të takimit me Albin Kurtin në Bruksel.
Vuçiç ka deklaruar se nuk ka marrëveshje pasi nuk është pranuar marrëveshja për Asociacionit.
Ai ka theksuar se bisedimet do të vazhdojnë në ditët në vazhdim.
Borrell shpreson në “qasje konstruktive” nga Kurti e Vuçiç
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, ka njoftuar për takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Borrell në “Twitter” ka thënë se pret qasje konstruktive nga të dy.
“Kam mirëpritur presidentin Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin Albin Kurti në Bruksel për takimin e nivelit të lartë të dialogut Beograd – Prishtinë. Në agjendë: propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve. Shpresoj për një qasje konstruktive nga të dyja palët”, ka shkruar Borrell.