Berisha: Rama shtrohet në dreka e darka 10 mijë euro, sikur të ishte emir apo sulltan

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se shqiptarët vuajnë çmimet më të larta në treg, ndërsa Edi Rama shtron dreka dhe darka 10 mijë euro. 

Berisha tha gjithashtu se pagat dhe pensionet nuk rriten, ndërsa të rinjtë largohen dhe vendi po shkon drejt shkretimit. 

"Problemi është se rrogat nuk rriten. Jo vetëm nuk rriten, por edhe ulen, ulen sepse rriten çmimet. Problemi është se pensionet nuk rriten, Jo vetëm nuk rriten, por ulen për shkak të inflacionit. Problemi është se të rinjtë largohen, vendi shkretohet, mjerohet, njerëzit nuk marrin dot ilaçe, nuk mjekohen, qytetarët paguajnë sot në Shqipëri më shumë se qytetarët e Europës për shëndetin e tyre, sepse sistemi është mizerabël, është në agoni.

Tirana, le më rrethet e tjera, rreshtohet në 10 qytetet me sistemin shëndetësor më të keq në botë. Rreshtohet në 10 qytetet më të ndotura të planetit. E gjitha kjo është absolutisht shkatërrim korruptiv. Është një lloj sikur të kishte rënë një bombë korrupsioni. E rrënuan. Qytetarët nuk ekzistojnë, a mund të ekzistojnë qytetarët për një njeri të pashpirtë që shpenzon 22 mln euro udhëtime me çarter dhe dhomë speciale gjumi, se lodhet shumë ky. Mendon shumë për qytetarët, vuan nga pagjumësia ky, ndaj e do dhe fluturimin me dhomë gjumi. 

Por është krim i shëmtuar. Shtrohet në dreka e darka 10 mijë euro, sikur të ishte emir apo sulltan. A bëhet kjo, të gjitha këto bëhen se ai ju urren ju, urren qytetarët shqiptarë. Çfarë do qofshin ata me parimin, ai që të vjedh të urren. Ai nuk të do, përkundrazi thotë ky është i keqi, i mirë jam unë sipas moralit të tij. E meriton që t'i vjedhë, kështu janë këta se ndryshe nuk mund të shpjegohet. 

Lista e tyre është e pafundme".