VIDEO E PLOTË/ Urbani mori para makinat, si ndodhi aksidenti i frikshëm në Tiranë

Syri.net ka siguruar pamjet e plota të aksidentit të rëndë të ndodhur në Tiranë, mesditën e kësaj të hëne. 

Sipas gazetares Bleona Sari raportohet se 9 persona mbetën të plagosur nga përplasja e një urbani me disa automjete. 

Urbani i linjës së "Unazës" mori para makinat në vendin e quajtur "Ura e Tajvanit", pranë "Shallvareve". 

Në pamje duket momenti i parë i aksidentit.  

Urbani nuk e ul shpejtësinë edhe pse përpara makinat kishin ndaluar në semafor. 

Ai godet fillimisht një automjet tip "Golf" dhe më pas një "Porsche" të cilat përplasen me një pemë në stacionin e urbanëve. 

Forca goditëse e këtyre dy automjeteve më pas zhvendos urbanin i cili përplas edhe disa makina të tjera. 

Shoferi i urbanit, Agron Xhafa, 63 vjeç, tha se nuk ndihej mirë në momentin e aksidentit, pasi vuan nga diabeti dhe zemra. 

Në spitalin e Traumës në kryeqytet po marrin shërbim mjekësor 10 pacientë përfshi dhe shoferin e autobusit. 

Gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.