KAFE SHQETO/ Eksperti i ekonomisë parashikon rënie drastike të çmimeve të apartamenteve për 2-3 vjet

Dr. Klodian Muço, eksperti i ekonomisë, ka bërë një parashkim optimist sot lidhur me strehimin, duke gjykuar se për 2-3 vitet e ardhshme, çmimet e apartamenteve në shitje do të bien ndjeshëm ashtu sikundër ndodhi në Greqi disa vite më parë.

I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, Dr. Klodian Muço, lektor i Shkencave Ekonomike, ndër të tjera analizoi situatën e ndërtimeve në vend dhe çmimet e apartamenteve që nuk po shohin ulje dhe e krahasoi me atë që ka ndodhur dhe po ndodh në BE dhe  në SHBA.

“Jepet një e dhënë që në 6 vitet e fundit në Tiranë janë dhënë gati 6 milionë metra katrorë ndërtim. Këto, nëse do të bënim disa pëërllogaritje ku me 100 metra katrorë jeton një familje në Shqipëri (e cila  llogaritet 3.2 persona plus minus), i bie që të kemi prodhuar shtëpi për gati 60 mijë familje.

Ndërkohë, po të marrim rritjen e numrit të personave në Tiranë, është shumë me i ulët se sa kaq ose le të themi që prodhojmë apo ndërtojmë apartamente, është shumë më tepër se sa kaq, që tregon se është përdorur si një skemë, me idenë që ndërtimi ka një rritje të shpejtë dhe e shikojnë si një formë fitimi.

Në Amerikë, të kalojmë tek “flluska”, ka rreth 6 muaj që ka filluar rënia e çmimeve të apartamenteve; në Europë ka filluar rënia e çmimit të apartamenteve, po në Shqipëri ne vazhdojmë akoma me rritje.

Thelbi është që në momentin kur ti fillon ndërton më shumë sesa ka nevojë tregu apo ndërton kur dihet që në Tiranë janë 30 mijë apo 40 mijë apartamente bosh dhe herët a vonë këto apartamente do të hidhen në treg - në momentin kur në botë, në vende të tjera po preket çmimi i shtëpive - në momentin kur kostoja e kredisë po rritet në mënyrë të ndjeshme dhe nga tjetër, oferta për pallate po rritet në mënyrë të ndjeshme - unë kam përshtypjen se këtu nuk do të jetë e largët dita kur të ndodhë e njëjta gjë si në Greqi, që çmimet e apartamenteve psh. nga 80 mijë apo 100 mijë euro, shiten me 20 mijë apo 30 mijë euro.

Kur do ndodhë?! - Kam përshtypjen se nuk do të ndodhë në mënyrë urgjente, por ndoshta në 2-3 vitet e ardhshme!”

Gazetari Flavio Qarri e ngacmoi me humor z. Muço mos po e lidh këtë parashikim me zgjedhjet, por përgjigja erdhi po me humor serioz:

“Nuk e lidhim me data zgjedhjesh. Me data zgjedhesh ka qejf Qeveria t’i lidhë, - tha ai. -  Po të shikoni, pasi mbaroi pasi u mbyll Buxheti  i 2022-it dhe u pa që ngelën disa lekë borxh, doli Kryeministri, si Babagjyshi i Vitit të ri dhe na foli për “pakot” e Vitit të ri!”/ar.sh/SYRI.NET

Profil i shkurtër i Dr. Klodian Muços