Koreja e Veriut bën një konferencë të jashtëzakonshme për bujqësinë mes krizës së ushqimit
Seul, Kore e Jugut - Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un hapi një konferencë të madhe politike kushtuar bujqësisë. Kështu raportoi media shtetërore të hënën, pasi vlerësimet nga jashtë sugjerojnë se vendi po përballet me një mungesë serioze të ushqimit.
Ekspertët e Koresë së Jugut vlerësojnë se Koreja e Veriut ka mungesë të rreth 1 milioni ton drithë, gati 20 për qind të kërkesës së saj vjetore, pasi pandemia ka të ngjarë se ka ndërprerë importet jozyrtare të grurit nga Kina dhe qeveria ka kufizuar shitjet e ushqimit në tregje.
Raportet e fundit, të pakonfirmuara në mediet e Koresë së Jugut kanë thënë se disa koreano-veriorë kanë vdekur nga uria. Por shumica e ekspertëve nuk kanë parë asnjë tregues të vdekjeve masive apo të urisë në Korenë e Veriut.
Gjatë një takimi të nivelit të lartë të Partisë së Punëtorëve në pushtet që filloi të dielën, zyrtarë të lartë të partisë shqyrtuan punën e vitit të kaluar mbi planet shtetërore për të përmbushur "revolucionin rural në epokën e re", njoftoi Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve.