Vrasja e kenianes/ Prokuroria ende e paqartë për dinamikën e krimit horror
Rodi Barçi është 32- vjeçari nga Tirana, që ka dhënë dëshmi i shoqëruar nga policia, në lidhje me ngjarjen ku u dhunua shtetasja keniane Xhoi Aoko, që më pas humbi edhe jetën. Ai ka qëndruar për disa orë në polici dhe ka folur për grupin e hetimit në lidhje me gjithçka ai di për atë ngjarje, por pa pranuar asnjë akuzë që ka të bëjë me historinë e 22- vjeçares.
Policia dhe prokuroria janë treguar të rezervuara në lidhje me dëshminë e tij, por ai u la i lirë, për t'u ripyetur sërish në kuadër të hetimeve intensive që ka marrë më në fund prokuroria e Tiranës. Përpos tij është një listë me disa persona, që kanë pasur dijeni mbi praninë e viktimës në punë dhe jashtë saj që do të dëshmojnë, por që deri më tani nuk ekziston asnjë urdhër-arrest.
Policia dhe prokuroria ende nuk e kanë të qartë, edhe pse kanë kaluar më shumë se 6 muaj nga jo ngjarje nëse është dhunim, tentativë vrasjeje apo vetëvrasjeje, por kanë treguar se po presin edhe aktin mjekoligjor për të parë shkaqet reale të vdekjes së të resë, shkruan Panorama.
DËSHMIA
Shoferi i kazinosë ku punonte 22-vjeçarja nga Kenia, Xhoi Aoko u la i lirë nga policia disa orësh pas dhënies së dëshminë e tij në lidhje me dyshimet e hetuesve se mund të ketë gisht në rrahjen dhe dhunimin e të resë, e cila pas disa muajsh në koma humbi jetën në një spital në Kenia. Rodi Barçi, 32 vjeç, ka deklaruar se ka qenë i lidhur me Xhoin, por në momentin kur ka ndodhur ngjarja, kanë qenë të ndarë dhe nuk kishin më lidhje me njëri tjetrin.
Togat e zeza lëshuan gjithashtu edhe disa urdhra për t’u marrë në pyetje, krahas të cilit u pyet për herë të dytë edhe shoqja e viktimës, Emili Mutua. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se mikja e kenianes ka dhënë disa detaje të reja për policinë, që mund të hedhin dritë në misterin e çështjes së Xhoit. Aktualisht, hetuesit i konsiderojnë sekret hetimor deklarimet e Emili, të cilat do të verifikohen.
Mamaja e të resë nga Kenia, Ruth Abongo, tha në një intervistë për mediat se 4 ditë para ngjarjes së rëndë se vajza kishte udhëtuar me 32- vjeçarin Rodi Barçi, në Durrës. Sipas nënës së vajzës, shoferi i kishte qëndruar shumë pranë, sjellje e cila s’i kishte pëlqyer të resë. Pak ditë më parë janë marrë në pyetje edhe persona të tjerë me të cilët vajza 22-vjeçare punonte në kazino. Në pyetje, si persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes janë marrë një pjesë e stafit dhe drejtues të kazinosë ku janë verifikuar edhe procedurat e ndjekura për punësimin e kenianes. Xhoi Aoko nga Kenia, dyshohet se është dhunuar brutalisht dhe është hedhur nga banesa në të cilën jetonte në Tiranë, e si pasojë e plagëve të rënda humbi jetën disa muaj pas qëndrimit në spital.
Deri më tani, askush nuk është arrestuar në lidhje me rastin, por policia pretendoi se ata janë në ndjekje të autorëve. 22-vjeçarja keniane prej 14 gushtit ndodhej në koma e shtruar në Spitalin e Traumës me brinjë e kocka të thyera, lëndime në dorë e stomak dhe dëmtime në tru. Dyshohet se 22-vjeçarja është hedhur nga ballkoni i dhomës së pallatit ku qëndronte, dhe denoncimin në polici e bëri nga një prej shoqeve. E reja punonte në një kazino të Tiranës ku jetonte prej kohësh së bashku me disa shoqe të saj gjithashtu nga Kenia. Nëna e vajzës keniane, që jetonte në Tiranë me disa shoqe të saj, u njoftua nga kompania e kazinosë që vajza e saj kishte përfunduar në spital. Sipas saj vajza u kishte treguar shoqeve se përndiqej nga një shofer taksie, i cili vazhdimisht i kërkonte të krijonin raporte intime.
Letërporosia në drejtim të Kenias
Prokuroria e Tiranës ka dërguar letërporosi prokurorisë së Kenias dhe i ka kërkuar që t’i vërë në dispozicion autopsinë që i është bërë 22-vjeçares në morgun e spitalit ku ajo ndërroi jetë. Kjo kërkesë vjen në kuadër të hetimeve të prokurorisë së Tiranës për vdekjen e Xhoi Ayoko. 22-vjeçarja u largua nga Shqipëria më 25 janar të këtij viti, drejt vendlindjes për t’u mjekuar në spitalin Kenyatta, në Kenia. Xhoi u largua nga Spitali i Traumës në “half coma”, pra gjysmë koma, e pavetëdijshme dhe ndërroi jetë në Kenia.