FOTO/ Shkatërrimi i anijes me imigrantë në Itali: Gati 60 vrarë në brigjet e Kalabrisë
Të paktën 59 imigrantë, përfshirë 12 fëmijë, kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë duket se mungojnë pasi anija e tyre u mbyt në det në jug të Italisë. Anija u shkatërrua ndërsa përpiqej të zbarkonte afër Crotone të dielën. Imigrantët nga Afganistani, Pakistani, Somalia dhe Irani ishin në bord.
Një fëmijë ishte në mesin e të vdekurve, thanë zyrtarët italianë paraprakisht. Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi, i cili vizitoi skenën, tha se rreth 30 njerëz nuk janë gjetur ende, sipas BBC.
Trupat u gjetën në plazh në një vendpushim bregdetar aty pranë në rajonin e Kalabrisë.
Roja bregdetare tha se 80 njerëz ishin gjetur të gjallë, "përfshirë disa që arritën të dilnin në breg pas fundosjes".
Numri i saktë i njerëzve që ishin në barkë, të cilët kishin lundruar nga Turqia disa ditë më parë, nuk është i qartë.
Ekipet e shpëtimit i thanë agjencisë së lajmeve AFP se anija kishte mbajtur "më shumë se 200 njerëz".
Shumë nga imigrantët po iknin nga kushte shumë të vështira, tha presidenti i Italisë.
Kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif duke iu referuar raporteve tha se më shumë se dy duzina me pakistanezë ishin midis të vdekurve, dhe i quajti lajmet "thellësisht shqetësuese dhe tronditëse". Ai udhëzoi diplomatët e Pakistanit të "konstatojnë faktet sa më shpejt që të ishte e mundur".
Anija raportohet të jetë zhytur pasi u përplas me shkëmbinjtë gjatë motit të trazuar, duke nxitur një operacion të madh kërkimi dhe shpëtimi në tokë dhe në det.
Pamjet video tregojnë lëndë drusore nga mbeturinat pas shkatërrimit, që lëkundeshin nga valët në breg.
Të mbijetuarit janë parë të grumbulluar nën batanije, të shoqëruar nga ekipet e Kryqit të Kuq. Disa janë dërguar në spital.
"Ka pasur zbarkime, por kurrë një tragjedi si kjo," tha kryetari i Cruto, Antonio Ceraso, për Rai News.