Serie A/ Milani, fitore me ‘aromë’ Championsi ndaj Atalantës

Milani triumfoi 2-0 ndaj Atalantës, duke siguruar tri pikë të arta për objektivin Champions League.

Kjo ishte fitorja e tretë radhazi në Serie A për kuqezinjtë, të cilët mbërrijnë Interin në vendin e dytë.

Sfida u zhbllokua nga autogoli i portierit Juan Musso në minutën e 25-të.

Golin e qetësisë për Milanin e realizoi Junior Messias katër minuta përpara fundit të takimit.

Berat Gjimshiti e luajti të plotë takimin për Atalantën.

Zlatan Ibrahimovic u fut në fushë në pjesën e dytë, duke bërë rikthimin e madh.

41 vjeç e 146 ditë, bomberi suedez u kthye në lojtarin më të vjetër që luan me Milanin në Serie A.