Një hajdut...edhe një hajdut tjetër!
Nga Diana Mjeshtri
Taksa më e shpërdoruar që një grua i jep këtij shteti janë burrat që lind. Pjesën më të madhe të tyre qeveria i ka internuar në emigrim që të mund të vjedhë pa e zënë në pritë ndonjë trim, një pjesë i ka punësuar për të patronazhuar ty dhe mua, kurse një pjesë tjetër i ka varfëruar.
Kush do i vihet pas hajdutit nëse psikopati që kemi për kryeministër zgjohet nesër dhe ju thotë se Bordi i Hajdutërisë ka vendosur të dërgojë nga një hajdut tek shtëpia e secilit prej nesh? Megjithëse, është më e lehtë të vjedhësh duke themeluar një institucion të ri se të dërguarit një hajdut të kërcënoj arkëtarin e çdo shtëpie.
Fatkeqësisht kjo nuk është një situatë imagjinare — çdokush e ka një hajdut në shtëpinë e tij që e ka vjedhur me mjera herë, por nuk e ka parë. Qentë e mëdhenj që kemi lidhur me betim në trungjet e parlamentit nuk lehin kur hajduti kapërcen gardhin e pronës tuaj. Jo se vuajnë nga verbëria akute, por se u hidhet ndonjë kockë herë pas here — me shumë gjasa kocka e brinjës së atij që fiton jetesën denjësisht.
Këta hajdutë të mëdhenj grabisin akoma dhe gjërat më të vogla. Njëri qëndron mbrapa faturës së energjisë elektrike, tjetri fshihet tinzërisht tek TVSH-ja e naftës, një tjetër maskohet nën rritjen e çmimit të lejes së qarkullimit, akoma edhe pizhamat që simbolizojnë lehtësinë e mbarimit së mendje-vrasjes së ditës për problemet ekonomike, janë të përbëra prej 15% hajdutërie, e kjo që të mos përgjumeni pa vënë alarmin.
Këta nuk lindën hajdutë — të paktën jo të gjithë, megjithëse kam dyshime serioze për Taulant Ballën dhe Tigrin e Kuletës — por ata kuptuan herët se nuk rrezikonin asgjë nëse bëheshin. Edhe kur Rama bën sikur po i kap hajdutët që ka dërguar t’ju vjedhin, ata do ju thonë: “nuk e dija se është e jotja”, por ata janë të vetëdijshëm “që nuk është as e tyre” taksa që na vjedhin.
Do thoni ju po unë ku i kam parë këta hajdutët,a mos qëndrojë zgjuar nga agimi në perëndim për të dëshmuar? Unë i shoh çdo ditë, ashtu sikur i shihni edhe ju:
Tek mungesa e ilaçeve dhe medikamenteve në spitalin e Durrësit.
Tek çmimi për orë i vënies ose pengimit të drejtësisë.
Tek mungesa e ujit të pijshëm në kryeqitetin e Shqipërisë.
Tek mosdhënia e bursave për studentët.
Tek mungesa e një transportit publik të rregulltë.
Tek mungesa e infrastrukturës në fshatet turistike të Dukagjinit.
Tek rruga 24 milionë euroshe e Unazës së Re që përmbytet sa herë bie shi.
Tek dhënia e pensioneve qesharake për gjyshërit tanë.
Hajdutërisht, ata sërisht do na bëjnë të paguajmë ç’ka ata na vodhën...