SYRI TV/ Burg Majdiel Husës, fshehu vdekjen e Elton Tahirit nga mbidoza
Gjykata e Tiranës caktoi arrest me burg për Majdiel Husën, i cili fshehu vdekjen nga mbidoza të shokut të tij Elton Tahirit. Dëshmia mbi dinamikën e ngjarjes, është tronditëse, tek thotë se për 10 ditë ka fjetur në të njëjtën banesë ku ndodhej trupi i pajetë. Husa tregon si tri shokët e sapokthyer nga Gjermania përfunduan duke konsumuar drogë, si iku njëri nga shokët nga banesa dhe pse vendosi ta hidhte trupin pas 10 ditësh në përrua.
Nga SYRI TV
Arrest me burg ka caktuar Gjykata e Tiranës për Majdiel Husën, i arrestuar pasi fshehu për 10 ditë vdekjen e shokut të tij, Elton Tahirit, nga mbidoza, ndërsa më pas e hodhi trupin në Bërxullë. Husa ka rrëfyer si është njohur me viktimën dhe si përfunduan pa vetëdije nga konsumi i drogës.
Majdiel Husa, i arrestuari: "Pritëm njëri-tjetrin deri sa dolëm nga komisariati në Rinas, pasi ishim kthyer nga Gjermania. Shkuam në shtëpinë time në Laprakë. Me ne ishte edhe shoku i Eltonit, Bledari. Blemë kokainë dhe heroinë nga një i njohuri im. Eltoni injektoi shumë në trup dhe u bë keq. Kur u zgjova të nesërmen, në dhomën e gjumit pashë vetëm Eltonin duke fjetur akoma. Mbeta i habitur nga shoku i tij, kishte shkrur një letër ku thoshte: "Siç duket Eltoni do flerë dhe ca. Unë po shkoj tek familja ime se po më presin dhe pastaj do të kthehem prapë".
47-vjeçari thotë se për 10 ditë kishte qëndruar në të njëjtën banesë ku ndodhej trupi i pajetë dhe se në darkë flinte nga dhoma tjetër. Husa tregon edhe se si e priti njoftimin e Policisë.
Majdiel Husa: “Kam dalë dhe jam kthyer dy herë në banesë. Herën e parë bleva sërish drogë. Takova një shok dhe i thashë për Eltonin se më ka zënë derën. Herën e dytë, pashë Eltonin që nuk merrte frymë. E mbajta për 10 ditë në shtëpi trupin, flija vetë nga dhoma tjetër. Pas kësaj kohe mora makinë me qera dhe e dërgova trupin në Bërxullë. Kisha frikë të tregoja! Pashë lajmet të nesërmen që thoshin se Policia e njoftoi vdekjen me shkak mbidozën. Mendova se nuk do të merreshin me mua.”
Ndaj Majdiel Husës rëndon akuza për veprën penale "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".