U kap në Abu Dhabi/ Anëtari i bandës së Plaurent Dervishajt bëri rezistencë

Detaje te reja janë zbardhur lidhur për Amar Dritan Shkëmbin, i arrestuar dje në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Amar Dritan Shkëmbi, anëtari i bandës së Plaurent Dervishajt, akuzohet për atentatin e vitit 2019 kundër prokurorit Arjan Ndoj.

Burime për Syri TV bëjnë me dije se ai është mbajtur për rreth 2 javë nën vëzhgim nga autoritetet vendase, teksa prej 1 muaji autoritetet kishin informacion se ai ndodhej jashtë territorit shqiptar.

Gjatë momentit të ndërhyrjes, ai ka bërë rezistencë dhe ka qenë pa mjet identifikimi me vete. Pas kësaj është shoqëruar për verifikim dhe pas krahasimit të shenjave të gishtave me të dhënat që ka dërguar Policia e Shtetit shqiptar atje që më herët, ka rezultuar se ishte shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për grup të strukturuar kriminal për një atentat në Shqipëri në vitin 2019.

Ekstradimi i tij drejt Tiranës mund të bëhet në vijim vetëm me një vendim të gjykatës në Emiratet e Bashkura Arabe. Sipas burimeve nga policia, ekziston një marrëveshje ekstradimi në bazë të disa konventave ndërkombëtare, të cilat mund të interpretohen nga gjykata për ardhjen e Shkëmbit në Shqipëri.

Shkëmbi, ditën e atentatit dyshohet se ka qenë në automjet dhe këtë hetuesit e kanë mësuar shpejt në atë kohë, edhe pse po atë ditë ka rezultuar jashtë territorit të Shqipërisë referuar sistemit TIMS.

Ndërkohë burimet nga grupi hetimor shpjegojnë së ka dyshime se mund te jete ndihmuar nga ndonjë efektiv policie për hyrjet dhe daljet ilegalisht ne vend.