U kap me mbi 500 mijë euro/ VOA: Klosi, numëruese votash e Ahmetajt

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj u shfaq mbrëmë në një intervistë në Opinion, duke konfirmuar edhe njëherë ndarjen e tij përfundimtare me kryeministrin Edi Rama.

Sipas Zërit të Amerikës, Ahmetaj konfirmoi qartazi prishjen e marrëdhënieve të tij me kryeministrin Edi Rama, në kabinetet e të cilit ai shërbeu në pozicione të rëndësishme, duke qenë një ndër ministrat më jetëgjatë dhe më pranë tij.

Por Zëri i Amerikës merret edhe me një aspekt tjetër të intervistës së Ahmetajt, aty ku ai rrëfehet për lidhjet me Alda Klosin.

“Emri i zotit Ahmetaj u lakua së fundmi, pasi ish-shefja e tij e kabinetit Alda Klosi, u arrestua pasi banesa e saj u vodh nga pastruesja, e cila e ka akuzuar si pronare të mbi 500 mijë eurove të gjetura në banesën e saj. Ish-zëvendëskryeministri foli shkurtimisht për njohjen me të. “Alda Klosi ka ardhur nga Ujësjellësi i Tiranës tek Ministria e Ekonomisë. Ka ikur nga Ministria e Ekonomisë, e kam gjetur në Ministri të Financave, e kam lënë në Ministri të Financave dhe ka qenë vetëm 9 muaj shefe kabineti. Në sytë e mi, ka qenë punonjës korrekt. Lidhja ime ka qenë vetëm zyrtare”, u shpreh ai, ndonëse në disa foto Alda Klosi shfaqet si pjesë edhe e stafit elektoral të zotit Ahmetaj, e angazhuar deri dhe në procesin e numërimit të votave,” raporton VOA.