Propozimi i Kinës për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë: Plani me 12 pika
Një vit pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës, Kina po ofron një propozim prej 12 pikash për t'i dhënë fund luftimeve.
Propozimi vjen pas njoftimit të fundit të Kinës se ajo po përpiqet të veprojë si ndërmjetëse në luftën që ka ringjallur aleancat perëndimore të konsideruara nga Pekini dhe Moska si rivale.
Kryediplomati kinez tregoi se plani ishte paraqitur në një konferencë sigurie këtë javë në Mynih, Gjermani.
Me publikimin e tij, qeveria e Presidentit Xi Jinping po përsërit pretendimin e Kinës për të qenë neutrale, pavarësisht bllokimit të përpjekjeve të Kombeve të Bashkuara për të dënuar pushtimin.
Dokumenti i bën jehonë ankesave ruse se qeveritë perëndimore janë fajtore për pushtimin më 24 shkurtit 2022 dhe kritikon sanksionet ndaj Rusisë.
Në takimin e Mynihut, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken shprehu skepticizëm për pozicionin e Pekinit përpara publikimit të planit.
Ai tha se Kina ka ofruar ndihmë jovdekjeprurëse, që mbështet përpjekjet luftarake të presidentit rus Vladimir Putin dhe tha se SHBA-të kanë informacione sekrete se Pekini "po shqyrton ofrimin e mbështetjes vdekjeprurëse".
Kina e ka quajtur akuzën një "njollosje" dhe se i mungojnë provat.
ÇFARË KA PROPOZUAR KINA?
Propozimi i Kinës kërkon një armëpushim dhe bisedime paqeje, si dhe një dhënie fund të sanksioneve perëndimore kundër Rusisë. Ai thotë se "vendet përkatëse duhet të ndalojnë abuzimin me sanksionet e njëanshme" dhe "të bëjnë pjesën e tyre në uljen e krizës në Ukrainë".
Propozimi thotë se sovraniteti i të gjitha vendeve duhet të ruhet, megjithëse nuk specifikon se si do të dukej për Ukrainën dhe territorin e marrë prej saj që kur Rusia pushtoi Krimenë në 2014.
Propozimi dënon një "mentalitet të Luftës së Ftohtë", një qortim për Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, aleancën ushtarake SHBA - Europë.
“Siguria e një rajoni nuk duhet të arrihet duke forcuar apo zgjeruar blloqet ushtarake”, thuhet në propozim. Presidenti rus Vladimir Putin kërkoi një premtim se Ukraina nuk do të bashkohet me bllokun përpara pushtimit.
Pika të tjera bëjnë thirrje për një armëpushim, bisedime paqeje, mbrojtje për të burgosurit e luftës dhe ndalimin e sulmeve ndaj civilëve, mbajtjen e centraleve bërthamore të sigurta dhe lehtësimin e eksporteve të grurit.
A E MBËSHTET KINA, RUSINË, NË LUFTËN E SAJ NDAJ UKRAINËS?
Kina ka ofruar deklarata kontradiktore në lidhje me qëndrimin e saj. Ajo thotë se Rusia u provokua që ndërmori veprime nga zgjerimi i NATO-s drejt lindjes, por gjithashtu ka pretenduar neutralitet në luftë.
Përpara sulmit të Rusisë, Xi dhe Putin morën pjesë në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore të vitit të kaluar në Pekin dhe lëshuan një deklaratë se qeveritë e tyre kishin një miqësi "pa kufij". Që atëherë Kina i ka injoruar kritikat perëndimore dhe e ka riafirmuar këtë zotim.
Putin ka thënë se pret që Xi të vizitojë Rusinë në muajt e ardhshëm. Kina ende nuk e ka konfirmuar këtë.
“Publikisht, ata e paraqesin veten si një vend që përpiqet për paqen në Ukrainë, por privatisht, siç thashë, ne kemi parë tashmë gjatë muajve të fundit dhënien e ndihmës jovdekjeprurëse që shkon drejtpërdrejt në ndihmë dhe nxitje të përpjekjeve luftarake të Rusisë. ”
AI I KA AFRUAR KINA, MBËSHTETJE RUSISË?
Mbështetja e Kinës për Rusinë ka qenë kryesisht retorike dhe politike. Pekini ka ndihmuar në parandalimin e përpjekjeve për të dënuar Moskën në Kombet e Bashkuara. Nuk ka asnjë provë publike që aktualisht po e furnizon me armë Rusinë, por SHBA-ja ka thënë se Kina po ofron tashmë mbështetje jo-vdekjeprurëse dhe mund të bëjë më shumë.
Blinken, në konferencën e Mynihut, tha se Shtetet e Bashkuara kanë qenë prej kohësh të shqetësuara se Kina do t'i siguronte armë Rusisë. “Ne kemi informacione që na shqetësojnë se ata po shqyrtojnë ofrimin e mbështetjes vdekjeprurëse për Rusinë,” tha ai.
Blinken tha se i shprehu të dërguarit kinez në takim, Ëang Yi, se "ky do të ishte një problem serioz".
Shefi i NATO-s tha të mërkurën se kishte parë disa shenja se Kina mund të jetë e gatshme të sigurojë armë dhe paralajmëroi se do të ishte një shkelje e ligjit ndërkombëtar.
Forcat ruse dhe kineze kanë mbajtur stërvitje të përbashkëta që nga pushtimi, së fundmi me marinën e Afrikës së Jugut në një linjë transporti në brigjet e Afrikës së Jugut.
Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov shprehu dyshime për shqetësimet e SHBA-së të hënën.
“Nuk jam i sigurt, sepse Rusia ka nevojë gjithashtu për helmeta, jelekë shpëtimi, etj., etj. Dhe mendoj se nëse Kina do t'i ndihmojë ata ... nuk do të (të jetë) armatim. Do të jenë ndonjë lloj rrobe e tillë, "tha Reznikov në Kiev./SYRI.NET