Berisha: Rama dhe Veliaj kanë marrë media me qira. Të përdorim rrjetet sociale!

Kur nisja zyrtarisht e fushatës për zgjedhjet e 14 majit po afron, kryetari i PD, Sali Berisha shprehet se jo të gjitha mediat pasqyrojnë në mënyrë të balancuar aktivitetet e kandidatëve. 

Gjatë takimit me drejtuesit e departamenteve në selinë blu, Berisha tha se Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë marrë media me qira dhe dominojnë hapësirën e transmetimit. 

Porosia e tij për kandidatët e PD ishte që të shfrytëzojnë rrjetet sociale. 

"Nuk ka asgjë më të çmuar se zërin tuaj këtu. Zërin tuaj në media, kudo që ju jeni. Zërin tuaj në rrjetet sociale. Ju ndiqni mediat. Kandidatët tanë nga mëngjesi në darkë në fushatë. Pse i paraqesin? Grimcat më të vogla, sikur këta nuk ekzistojnë, i fshehin. Dhe bën një veprim Erion Veliaj, ka hapësirë sa Edi Rama. Mediat janë këto që janë. Disa prej tyre nuk mbajnë këtë qëndrim, por shumica janë të kontrolluara nga të dy këta në mënyrë mizore, më të egër. 

Disa nga rrjetet janë marrë me qira nga Erion Veliaj dhe Edi Rama. Caktojnë ata se kush do të drejtojë këtë rrjet dhe atë rrjet. Çfarë na mbetet ne, na mbetet pena juaj, mendja juaj. Sa të keni hapësirë në media, por në rrjetet ju keni hapësirë, nuk keni pengesa, ndaj dhe opozita në kushtet tona duhet të përdorë mediat sociale më të fuqishme për të përcjellë të vërtetat tek qytetarët", u shpreh Berisha.