VIDEO/ Pamjet e frikshme/ Peter Tiede: Ky është momenti kur e kuptova se Putini do sulmonte Ukrainën
Gazetari i famshëm gjerman, Peter Tiede, i njohur për shqiptarët pasi publikoi në gazetën BILD përgjimet bombastike që tregonin se Edi Rama dhe njerëzit e tij manipulonin zgjedhjet në shkallë industriale, publikoi sot në Facebook disa pamje dramatike.
Videoja është regjistruar prej tij më 23 shkurt të vitit 2022, një ditë përpara se presidenti rus, Vladimir Putin të niste sulmin e përgjithshëm mbi Ukrainë.
Tiede tregon me pamje se si zbuloi autokolonën e luftës të Putinit. “Ky ishte momenti kur e kuptova se do të kishte luftë,” shkruan Tiede, duke sjellë pamjet e frikshme.
“Jam me Sergejn, kameramanin dhe fotografin tim prej shumë vitesh, pranë Rostov-mbi-Don, në Rusinë jugore, pothuajse 1100 kilometra në jug të Moskës. Një ditë më parë isha në një studio televizive në Berlin, pasdite u ula. E njoh këtë zonë në Detin e Zi dhe e si se, nëse lideri i Kremlinit do të lëshojë trupat e tij, kjo do ndodhë në drejtim të Mariupolit, sepse qyteti-port i Ukrainës ka një rëndësi strategjike- rruga tokësore për në Krime të çon përmes tij”, kujton gazetari.
“Në këtë rajon, trupat duhet të marshojnë përtej kufirit. Nuk mund të marrin autostradën. Ne ndjekim rrugët e vogla drejt pikave kufitare në veri të qytetit të Taganrogut. Në Kaff Maveyev shohim dy njësi speciale Speznas. Kur i parakalojmë, një raketahedhëse del nga shkurret dhe nxiton në krahun e kundërt. Kthehem menjëherë dhe e ndjek nga pas.
Në orën 16:100 shohim se si raketahedhësi bëhet pjesë e një autokolone ushtarake prej më shumë se 400 mjetesh. Të gjitha pa identifikim dhe simbole kombëtare, të gjitha të kamufluara nga lart. Të gjithë ushtarët janë pa shenja kombëtare, të gjithë janë me maska sulmi.
E parakaloj autokolonën me makinë. Ajo duket se nuk ka fund, ndërsa më bëhet gjithmonë e më e qartë se karvani ka gjithçka që nevojitet për një pushtim: që nga cisternat e furnizimit, te ambulancat e deri te raketahedhësit.
Ky është momenti kur gjendja ime fizike ndryshon: më kapin të dridhurat”, thekson gazetari.
“Pasi e kalojmë të gjithë autokolonën, parkojmë rreth dy kilometra më tej dhe filmojmë të gjithë karvanin. Në errësirën e rënë shohim se si mbërrijnë transportues të tjerë që sjellin tanke dhe autoblinda me mish të freskët njerëzor. Shumë prej tyre nuk do mbeten të gjallë.
E vendos alarmin për në orën 3.30 të mëngjesit, sepse lufta supozohet të fillojë në orën 4:30. Pastaj thirrja: LUFTË! Një nga shërbimet sekrete dhe kufitare të FSB na shpjegon se nuk duhet të parkojmë dhe të filmojmë se do ketë përplasje. Një fërshëllimë mbyt gjithçka: 150 metra pranë nesh, rusët rrëzojnë një raketë tokë-ajër”.