Berisha: Afera Rama-McGonigal, mediat e kapura tentojnë të fshehin të vërtetën e këtij skandali
Kryetari i PD, Sali Berisha denoncon se mediat e kapura nga Edi Rama po tentojnë të fshehin të vërtetën e skandalit me Charles McGonigal.
Duke iu referuar aktakuzës së drejtësisë amerikane, Berisha tha se Rama përmendet 14 herë, sipas tij për veprime konkrete, që i ka dhënë ryshfet, nëpërmjet këshilltarëve të tij, një prej zyrtarëve më të lartë të FBI.
"Marrim një shembull. Ka një muaj që ka shpërthyer njëra nga aferat më të mëdha të shekullit, afera Rama-McGonigal dhe publicitet në botë ka marrë më shumë se Deripaska-Gonigal. Në fund të fundit prapa Deripaskës qëndron Putini, një armik i vjetër i SHBA që kanë bërë dhe bëjnë përpjekje për ti rekrutuar njerëzit për interesa të tyre.
Por kur e bën Shqipëria një akt të tillë, karakteri armiqësor i këtij akti bëhet shumë herë më i madh, sepse e bën një partner, një vend mik, pavarësisht se në një akt të tillë i fut një thikë në zemër, një thikë të tmerrshme në palcë marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kjo është e vërteta dhe kush? Një njeri që bërtiste prej 1 viti e gjysëm, etiketonte PD-në si antiamerikane, në një kohë kur ai kryente veprimet më antiamerikane që mund të ketë kryer kush pas luftës së Dytë Botërore në Europë. Por cilat ishin mediat, një përpjekje e jashtëzakonshme se është në hetim, apo nuk është në hetim, pavarësisht se emri i tij është i shkrojtur në aktpadi 14 herë. Emri i tij i cituar qartësisht për veprime konkrete, që ka dhënë ryshfet, këshilltarët e tij aktor kryesor në këtë aferë.
Angazhimi i tij për të shkatërruar opozitën. Tregu i turpshëm i black-listimeve në kryeqytetin e tij, që normalisht duhet të kishte kontroll, por nuk kishte kontroll se e kryesonte ky vetë. Pra, ndodhin të gjitha këto dhe prap po të dëgjosh mediat, qytetari shqiptar duhet të përqendrohet mirë sepse këtu ka një diktaturë, diktatura e relativizmit, fshehjes, zbehjes, e maskimit të të vërtetës", tha kreu i PD gjatë takimit me drejtuesit e departamenteve të PD.