Skandali 'McGonigal'/ Erl Murati: Rama mund të mos shkojë në interpelancën e 2 marsit
Gazetari Erl Murati shprehet se Edi Rama mund të mos shkojë në Kuvend në seancën 2 marsit, kur do të zhvillohet interpelanca e kërkuar nga opozita për skandalin "McGonigal".
Në Task Force me gazetaren Sonila Meço, në Syri Tv, Murati tha se i frikësohet raportimit para Parlamentit dhe do t'ia delegojë llogaridhënien sërish Elisa Spiropalit.
"Edi Rama mund të diktojë axhendën e Parlamentit, prej frikës apo stepjes për të raportuar para institucionit të Parlamentit. Asnjëherë nuk ka rastisur që brenda një muaji të përjashtohen 23 deputetë të opozitës apo 1/3 e grupit parlamentar. Kjo është një çështje që e shqetëson direkt kryeministrin. Jam skeptik për interpelancën e 2 marsit, duke iu referuar asaj që ka thënë Rama se do shkoj në Parlament atëherë kur ta shoh të arsyeshme. S'do ishte çudi që ai edhe njëherë të mandatojë ministren e Shtetit, Elisa Spiropali", tha ai.