U-16/ Zhgënjen sërish Shqipëria, Italia e mund thellë në 'Elbasan Arena'
Kombëtarja shqiptare U-16 ka zhvilluar sot edhe ndeshjen e dytë miqësore ndaj Italisë U-16, që u luajt në stadiumin “Elbasan Arena”. Testi i dytë i zhvilluar brenda pak ditësh në Shqipëri përfundoi me fitoren 0-6 në favor të Italisë.
Të dyja skuadrat kanë bërë shumë ndryshime në 11-she krahasuar me ndeshjen e parë për t’u dhënë mundësi të gjithë lojtarëve që të aktivizohen. Pas një fillimi të ngadaltë në minutën e 16-të Italia arrin të kalojë në avantazh me sulmuesin Francesco Castaldo, i cili është i saktë me kokë në qendër të zonës pas një krosimi të ardhur nga këndorja.
Shqipëria përpiqet të reagojë dhe ka një mundësi me Rifën, i cili niset në kundërsulm pas një krosimi, por portieri italian Pessina del shpejt dhe neutralizon depërtimin. Në minutën e 31-të Italia gjen edhe golin e dytë sërish nga goditja e këndit. Këtë herë është Andrea Orlandi ai që përfiton pas një gabimi të mbrojtjes që nuk e largon siç duhet dhe sulmuesi italian e dërgon topin në rrjetë.
Në minutën e 40-të Malaj godet bukur nga një distancë e largët me portierin italian që është në pozicion dhe pret topin. Në minutën e parë shtesë të pjesës miqtë gjejnë edhe golin e tretë pasi Alessandro Olivieri tregohet i saktë duke shfrytëzuar një top në zonë, sërish pas një krosimi dhe dërgon shifrat 0-3.
Pjesa e dytë nis me një tjetër ritëm për kuqezinjtë, që në minutën e 48-të i afrohen golit, kur Renato Halili godet traversën pas një gjuajtje me kokë në zonën e vogël. Italianët vazhdojnë të këmbëngulin dhe në minutën e 67-të shënojnë golin e katërt me anë të Mosconit pas një depërtimi individual në zonë duke e dërguar topin në rrjetë. Më pas është radha e Olivierit të shënojë golin e pestë në minutën e 80-të dhe më pas është Di Nunzio që realizon për rezultatin përfundimtar 0-6.
Kjo ishte ndeshja e dytë miqësore mes këtyre skuadrave me të parën që u luajt më 21 shkurt stadiumin “Air Albania”.
Ndeshje miqësore
Shqipëri U16 – Itali U-16 0-6
Shënues: Castaldo 16’, Orlandi 31’, Olivieri 46’, 79’, Mosconi 67’, Di Nunzio 82’