Vendimi për PD, Balla-opozitës: Pas 3 Marsit situata do ndryshojë. Zhupa: Sqaro deklaratën!

Nga foltorja e Kuvendit, Taulant Balla sfidoi deputetët e opozitës se kjo situatë do të ndryshojë pas datës 3 mars. Referuar Gjykatës së Apelit, që vendos më 3 mars për çështjen e Partisë Demokratike, Balla u shpreh se çdo gjë do të ndryshojë pas kësaj date, teksa deputetët opozitarë qëndronin pranë foltores për pranimin e kërkesave të tyre.

SYRI TV

Mes debateve dhe situatës së tensionuar në Kuvend, ku deputetët e opozitës kërkonin panimin e kërkesave të tyre, për mocion me debat me kryeministrin Edi Rama dhe Komision hetimor për skandalin McGonigal, kreu i grupit parlamentar socialist i sfidoi duke paralajmëruar me vendimin e Gjykatës së Apelit më 3 mars.

"Thirrja ime është, ne s’jemi aspak të kënaqur që të marrim vendime për përjashtim kolegësh por në Kuvend, vjen deputeti shkul mikrofonin dhe i bie foltores si daulle, prandaj nuk komunikoj dot me qytetarët se më kanë dalë njerëz këtu që se di pse. Jam i sigurt që pas datës 3 s’do jeni më kështu. E rëndësishme është që problemet e brendshme mos i sillni këtu", tha ai. 

Deklaratave të taulant Ballës iu kundërpërgjigj deputetja Ina Zhupa, e cila i kërkoi Ballës që të sqaroj qytetarët mbi këto parlajmërime.

"Dhe me pafytyrësinë më të madhe kryetari juaj i grupit del këtu dhe flet për vendime gjyqësore, del këtu dhe paralajmëron që janë marrë vendime gjyqësore, del këtu dhe thotë që ju e keni paracaktuar se çfarë do të ndodhë, del këtu dhe thotë se e dimë çfarë do të ndodhë me ju, se çfarë do flisni ju. Kush është ai që i di vendimet e drejtësisë përpara. Çfarë di? Çfarë ka vendosur Edi Rama? Çfarë di Taulant Balla? Le ta thotë para opozitarëve që hyn fshehur nga dera e dytë e Kuvendit, se keni frikë nga populli", u shpreh Zhupa.