VIDEO-SYRI TV/ Alibia e parave të Alda Klosit, merret në pyetje biznesmeni i ndërtimit

Një biznesmen ndërtimi në Tiranë, pranon se i ka dhënë borxh 125 mijë euro vëllait të Alda Klosit, ish-shefe kabineti në qeveri. Por deklarimet e tij nuk e kanë bindur Prokurorinë, e cila po kryen veprime hetimore pasi ai mund të ketë dhënë deklarime të rreme. Leonard Çiko, vëllai i ish-zyrtares, vetë Alda Klosit, dhe së fundmi biznesmeni, në deklarimet e tyre janë kontradiktorë nga njëri-tjetri mbi origjinën e parave.

SYRI TV

Hetimet ndaj ish-zyrtares së qeverisë Alda Klosi, kanë prodhuar një tjetër dinamikë. Për llogari të zbardhjes së origjinës së 125 mijë eurove të gjetura në banesën e sanitares, Rozeta Dobi, Prokuroria ka pyetur një biznesmen ndërtimi.

Emri i tij u përmend nga Leonard Çiko, vëllai i Alda Klosit, i cili pretendoi se biznesmeni ishte personi me të cilin firmosi një marrëveshje huadhënie. Ky i fundit ka pranuar dhënien e parave, duke iu vënë para hetuesve një letër me shkrim dore dhe jo akt noterial.

Kjo ka ngritur dyshime tek organi i akuzës për vërtetësinë e argumentave që jep, shtuar faktin, thonë burimet, se ka patur edhe qëndrime kontradiktore ndaj pyetjeve që i janë bërë.

Për këtë arsye Prokuria ka nisur veprimet hetimore edhe ndaj tij, për të provuar vërtetësinë ose jo pretendimeve. Por deklarime të tilla, nuk janë bërë vetëm prej biznesmenit. Edhe vetë Klosi me të vëllanë kanë dhënë dy versione të ndryshme për origjinën e parave.

Vetë Klosi, në momentin kur ka pranuar posedimin e 125 mijë eurove, ka deklaruar se iu përkasin familjarëve të xhaxhait të saj.

Alda Klosi ndodhet në paraburgim, për akuzat e pastrimit të parave, fshehjes së pasurisë dhe deklarimit të rremë para Oficerit të Policisë Gjyqësore.

Ajo u arrestua pas dëshmisë së sanitares Rozeta Dobi e cila deklaroi sembi gjysëm milionë euro që u gjetën në shtëpinë e saj, i përkasin ish-zyrtares, pavarësisht se kjo e fundit nuk e pranon.

Sanitarja bashkë me të birin Havier Dobi gjithashtu ndodhen prapa hekurave.