Edhe një biznesmen ndërtimi në vallen e qindramijë eurove të Alda Klosit, nis hetimi
Hetimet ndaj ish-zyrtares së qeverisë Alda Klosi, kanë prodhuar një tjetër dinamikë. Për llogari të zbardhjes së origjinës së 125 mijë eurove të gjetura në banesën e sanitares, Rozeta Dobi, Prokuroria ka pyetur një biznesmen ndërtimi. Emri i tij u përmend nga Leonard Çiko, vëllai i Alda Klosit.
Ai tha se biznesmeni ishte personi me të cilin firmosi një marrëveshje huadhënie prej 125 mijë eurosh. Ky i fundit ka pranuar dhënien e parave, por nga sa ka treguar, bëhet fjalë për një dakordësi vetëm përmes një teksti me shkrim dore dhe jo akti noterial, të cilin ua ka vënë përballë hetuesve.
Kjo ka ngritur dyshime tek organi i akuzës për vërtetësinë e argumenteve që jep, për shkak edhe të qëndrimeve kontradiktore. Burime nga grupi i hetimit, thonë se pas deklarimeve të tij, kanë nisur veprimet hetimore edhe ndaj biznesmenit të ndërtimit nga Tirana, për të provuar vërtetësinë ose jo pretendimeve.
Por deklarime të tilla, nuk janë bërë vetëm prej tij. Edhe vetë Klosi me të vëllanë kanë dhënë dy versione të ndryshme për origjinën e parave. Vetë Klosi, përmes avokatit të saj ka këtë qëndrim.
Ilirjan Muho, avokati i Alda Klosit: “Paratë ia dha nusja e xhaxhait dhe xhaxhai për t’i ruajtur”
Alda Klosi ndodhet në paraburgim, për akuzat e pastrimit të parave, fshehjes së pasurisë dhe deklarimit të rremë para Oficerit të Policisë Gjyqësore.
Ajo u arrestua pas dëshmisë së sanitares Rozeta Dobi e cila deklaroi se paratë që u gjetën në shtëpinë e saj, përfshirë dhe shuma prej 404 mijë eurosh e fshehur në tubin e aspirimit i përket ish-zyrtares dhe ja kishte lënë për t’ia ruajtur, pavarësisht se kjo e fundit nuk e pranon.
Djali i sanitares, Havier Dobi bashkë me të ëmën gjithashtu ndodhen prapa hekurave. I riu akuzohet për bashkëpunim në vjedhje por këmbëngul se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se ishte nëna e tij që i tregoi se paratë ishin të Alda Klosit.