Deri ku mund ta çojë ‘Drejtësia’ Edi Ramën?

Qeveria Teknike u përjashtua si mundësi. Vizita e Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë dhe deklarata e përbashkët Mogherini- Hahn, konfirmuan një qëndrim ndërkombëtar kundër propozimit të PD-së për zgjidhjen e krizës.

Kryeministri nuk e kishte menduar asnjëherë, por pas deklaratës së fortë të kryediplomatit gjerman, u shpreh kategorikisht kundër. I mëshoi më fort idesë së hyrjes në zgjedhje pa opozitën, duke tundur mbështetjen ndërkombëtare. Perfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian dhe të vendeve kryesore europiane në veçanti, deri në këtë pikë e mbështesin Ramën. Ata janë kundër metodave dhe kërkesave të opozitës për të arritur tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Rama e ka përdorur mjeshtërisht Reformën në Drejtësi për të fituar prej ngecjes, jo prej zbatimit të saj. Duke deklaruar siç e përsëriti të hënën në ‘Dritare’, se Reforma do të fusë në burg politikanë të lartë, ku nuk përjashtohen Berisha dhe Meta, ai ia ka arritur të ngjallë panik tek PD dhe LSI, duke futur fshehtas nene të çuditshme nëpër ligjet që miratoi në Parlament pa konsensusin e opozitës, Rama arriti që ta përjashtojë atë  nga Reforma dhe si rrjedhim nga mundësia për një raport të mirë me financuesit e reformës, BE dhe SHBA.

Opozita nuk ngurroi të binte në këtë kurth, megjithëse i prek pasojat që nga dita e parë. Refuzimi i ndërgjegjshëm i opozitës për Reformën e personalizuar në disa nene prej Ramës, nuk është mirëkuptuar asnjëherë nga ndërkombëtarët, as në 21 Korrik, kur ambasadat e rëndësishme u investuan për variantin e votimit të njëanshëm të Reformës, siç këmbëngulte Rama.

Me skepticizmin për Reformën, opozita paragjykohet në të gjitha aksionet, ndërsa qeveria justifikohet në të gjitha. Kur opozita bojkoton Parlamentin se maxhoranca nuk zbaton ligjin e Dekriminalizimit, Rama i akuzon se duan të bllokojnë Drejtësinë, kur opozita bojkoton sepse maxhoranca nuk pranon propozimet për votimin elektronik, Rama nxjerr prapë justifikimin e Drejtësinë. Një justifikim që nuk dihet sa besohet nga një pjesë e shqiptarëve, por ka patur sukses absolut tek qeveritë perëndimore. Në zyrat europiane Rama udhëton me përgjigjet në xhep. Kur e pyesin për kriminelët që mban rreth vetes, përgjigjet me Reformën në Drejtësi, kur e pyesin për kanabizimin historik të vendit, përgjigjet me Reformën në Drejtësi. Me Drejtësinë justifikohet për korrupsionin, për krimin, për azilantët. Me Reformën që thotë se ia bllokon opozita. Ky argument kaq në modë, duket se ka arritur t' i bindë edhe ndërkombëtarët se fajin për qindra tonët e hashashit që kërcënon qytetarët europianë e ka opozita shqiptare, kështu edhe për kriminalizimin e politikës, korrupsionin, madje edhe për zgjedhjet e përgjithshme. Rama e ka përdorur mjeshtërisht Reformën në Drejtësi, sepse vetëm e pamiratuar ajo Reformë i shërben Ramës, e pamiratuar ajo nxit deklaratat perëndimore kundër opozitës dhe i hap atij rrugën të shkatërrojë çdo kundërshtar si Komandant i Legjionit të Nderit.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, e takoi kryeministrin e Shqipërisë 2 here brenda 40 ditësh, beri 2 konferenca shtypi në Tiranë dhe  një në Gjermani në 10 mars, duke përsëritur të njëjtat mesazhe. Madje mesazhin më të fortë e solli në Tiranë para se të vinte. Nga sa u pa vizita e tij nuk kishte asnjë qëllim tjetër veç mbështetjes së Edi Ramës në një moment të vështirë. Kjo sjellje e pazakonte diplomatike, është pasojë e përdorimit të Reformës në Drejtësi për interesat e një njeriu. Deri këtu, kryeministrin e ndihmoi Reforma. Me një tjetër seancë pa opozitën, me një tjetër komision gjysmë bosh, Rama mendon se mund të shkojë në zgjedhje i vetëm, madje edhe të ndjekë planin fillestar për të emëruar një opozitë të re. Me mbështetjen që ka siguruar mund t'ia arrijë, por pas kësaj, Reforma në Drejtësi nuk do ta ndihmojë dot më.

Shkruar për SYRI.net