I shpëtoi dy atentateve/ Inez Hajrulla ikën nga duart e Policisë së Vlorës

Një aksion blic i Policisë së Vlorës, FNSH dhe forcave 'Shqiponja', i nisur që prej mbrëmjes së djeshme dhe i përfunduar në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka sjellë arrestimin e Denis Karafilit si dhe shpalljen në kërkim të Inez Hajrullës, OIsi Koçelit, Erand Hoxhës dhe Klaus Islamajt.

"Në lagjen “Pavarësia”, shërbimet e policisë i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti tip “Toyota”, pasi kishin dyshime se me të qarkullonin shtetas me precedent kriminal që mund të mbanin sende të kundërligjshme. Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi me automjet, bashkë me pasagjerët, duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë.   

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë vënë në ndjekje të automjetit tip “Toyota”, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve që qarkullonin me këtë automjet. Si rezultat i veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi i këtyre shtetasve dhe me miratim të organit të procedurës u ushtruan kontrolle intensive, në ambiente të ndryshme dhe në banesat e tyre, me qëllim kapjen e këtyre shtetasve dhe sekuestrimin e sendeve të kundërligjshme, nisur dhe nga informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative se këta shtetas ishin pjesëtarë të një grupi kriminal dhe mund të fshihnin sende të kundërligjshme në banesat e tyre.     

Në vijim të veprimeve u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi në flagrancë i njërit prej 5 personave që qarkullonin me automjetin tip “Toyota”, konkretisht shtetasi Denis Karafili, 29 vjeç, banues në Vlorë," njoftoi Policia e Vlorës.  

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit Inez Hajrulla, 30 vjeç, Olsi Koçeli, 33 vjeç, Erand Hoxha, 32 vjeç dhe Klaus Islamaj, 31 vjeç, banues në Vlorë.    

Po kush është Inez Hajrulla?

Ai ka qenë objektiv i dy atentateve në qytetin e Vlorës. Në vitin 2017, Hajrulla ishte pre e një atentati me tritol ku mori dëmtime të rënda në të dyja këmbët.

Më pas atij iu bë atentat me 10 maj të vitit 2019 në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, ku Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, teksa ishte ulur në një lokal.

Hajrulla i shpëtoi atentatit, por u plagos rastësisht Dajko Cenodemaj, që po pinte kafe në Lungomare me disa miq. Autorët, pasi u larguan, dogjën automjetin në Babicë të Vogël.