Mziu: Konflikti artificial brenda PD-së po ndihmon mazhorancën
Deputet i PD Xhelal Mziu, ishte i ftuar në 'Kafe Shqeto' në Syri Tv, ku foli mbi tensionet aktuale në parlament pas përjashtimit të deputetëve të opozitës.
Mziu, ndër të tjera u shpreh se konflikti artificial brenda PD-së po ndihmon mazhorancën.
“Është një situatë që në radhë të parë vjen nga ne, nga PD, është për të ardhur keq që grupi parlamentar është i copëtuar e shohin njeri-tjetrin si të njerkës dhe jo si një grup që ka ardhur nga vota të caktuara të demokratëve dhe duke përfituar nga ky konflikt i brendshëm artificial brenda PD-së, pastaj i jep mundësinë mazhorancës për një sjellje të tillë. Për mua do të kishte ndodhur me kohë zgjidhja e problemeve për të mos ngelur më syri as nga kryetarja e parlamentit as nga Gjykata por duhej që PD të mos kishte konfliktin e tillë, ndoshta dhe pa objektivin e qartë dhe arsye madhore.
Të ishim në një grup dhe të dilnim dhe jashtë gardhit politik për të afruar dhe njerëz të tjerë, për tu përballur me këtë mazhorancë që është agresive dhe që luan më shumë jashtë fushës se sa ballë-përballë me kundërshtarin. Pra, jo pak faj në këtë situatë që ndodhet sot përballja me mazhorancën është edhe i vetë opozitës, ose jo dhe për të shkuar drejt zgjidhjes së një kryetari grupi por dhe për të patur një unifikim të deputetëve që të mos ngelemi si një ‘top llastiku’ që kujt t’i mbushet mendja aty në parlament të sillet negativisht me pjesën tjetër dhe pastaj pjesa tjetër të fillojë të duartrokasë për shkak të këtij konflikti”, u shpreh Mziu.