Një provokim i paprecedentë: Putin testoi raketën më të fuqishme ruse ‘Satan’ ndërsa Biden ishte në Kiev

Rusia kreu një provë të raketës balistike ndërkontinentale Sarmat, e cila thuhet se dështoi, rreth kohës kur presidenti amerikan Joseph Biden ishte në Ukrainë të hënën, sipas dy zyrtarëve amerikanë dhe CNN.

Rusia njoftoi Shtetet e Bashkuara përpara nisjes, tha një zyrtar. Një tjetër tha se testi nuk përbënte rrezik për Shtetet e Bashkuara dhe se SHBA nuk e shihnin testin si një anomali ose një përshkallëzim.

Testi i raketës së rëndë Sarmat - i mbiquajtur "Satan II" në Perëndim dhe i aftë për të dhënë koka të shumta bërthamore - duket se ka dështuar. Disa teste më parë kanë qenë të suksesshme, prandaj zyrtarët amerikanë besojnë se presidenti rus Vladimir Putin do të nënvizonte suksesin në fjalimin e tij për gjendjen e kombit të martën, raporton CNN .

Në vend të kësaj, Putin nuk e përmendi nisjen në një fjalim që zgjati një orë e 45 minuta. Megjithatë, ai tha zyrtarisht se Rusia do të pezullonte pjesëmarrjen e vendit të tij në traktatin e ri të reduktimit të armëve bërthamore START me Shtetet e Bashkuara, duke rrezikuar paktin e fundit të mbetur që qeveris dy arsenalet më të mëdha bërthamore në botë.

Koha e testit sugjeron që SHBA dhe Rusia po komunikonin përmes disa kanaleve të ndryshme në fillim të kësaj jave. Zyrtarët amerikanë gjithashtu informuan rusët të dielën mbrëma, disa orë përpara vizitës së Biden në Kiev, se presidenti do të udhëtonte në kryeqytetin ukrainas, tha të hënën këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan.

Putin ka njoftuar teste të suksesshme të Sarmat në të kaluarën, duke përfshirë prillin e kaluar, vetëm disa muaj pasi Rusia pushtoi Ukrainën. Raketa Sarmat u prezantua për herë të parë në vitin 2016 dhe media shtetërore ruse thotë se ka një rreze veprimi prej më shumë se 11,000 kilometrash. Raketa mund të mbajë një kokë 100 ton dhe është projektuar si pasardhëse e R-36M ICBM.