KAFE SHQETO/ Korreshi për grupimet e PD-së: Ishim drejt bashkimit, por data 3 mars...
Deputeti i PD-së, Saimir Korreshi, i ftuar në KAFE SHQETO në SYRI TV, ka folur për mundësitë e bashkimit të grupit parlamentar demokrat, ku sipas tij që pas shpalljes së datës së gjyqit më 3 mars, palët janë tërhequr në llogoret e tyre në pritje të vendimit.
Korreshi theksoi se para daljes së datës ka pasur një proces i cili ka zgjatur rreth 3 javë në Parlament ku palët e pranonin në mënyrë të heshtur që duhej patjetër të arrihej një konsensus për zgjedhjet e 14 majit.
Përsa i përket Enkelejd Alibeajt, Korreshi u shpreh se nuk është përfshirë fare në këto debatet brenda përderisa grupi parlamentar vendosi të vinte zotin Bardhi i cili ka qënë negociator.
Korreshi: Unë mendoja dhe gjykoja se do të kishte një dakordësi dhe një ulje armësh që po ndodhte në vijimësi por që kur doli data 3 mars palët janë tërhequr në llogoret e tyre në pritje të vendimit.
Pati një ulje armësh nga të dyja palët e deputetëve. Ne ishim përjashtim në përqafim po e mira ishte që të përqafoheshim të gjithë. Shumë deputetë kishin marë përsipër që të hiqnin mburojat dhe shkonim të bashkuar për zgjedhjet e 14 majit. Ishte një proces që zgjati 3 javë në Parlament me njëri tjetrin dhe dukej se palët e pranonin në mënyrë të heshtur që duhej patjetër të arrihej një konsensus për zgjedhjet e 14 majit.
Zoti Alibeaj nuk është pengesë më tepër se sa për të ndryshuar mendjen e tij. Nuk është përfshirë fare në këto debatet brenda përderisa grupi parlamentar vendosi të vinte zotin Bardhi i cili ka qënë negociator.
Zoti Alibeaj kundrejt dëshirës dhe vullnetit të disa deputetëve mendoj se do prevalonte dëshira dhe vullneti i 20 deputetëve.
Ka dy javë duke pasur parasysh ato që po ndodhin në Parlament për efekt të McGonigal por edhe për efekt të daljes së datës, çdo gjë është zhbërë në mënyrë të frikshme. Kisha shumë optimizëm te kjo pjesë por është zhbërë.