VIDEO/ ‘Syri i majtë’/ Artan Hoxha: Kopja është më e shëmtuar se origjinali, si më hoqi Fuga nga puna

Gazetari Artan Hoxha ishte i ftuari i mbrëmshëm në emisionin e Adi Krastës në SYRI TV.

Ai foli gjatë edhe për largimin e tij nga televizioni ABC, që ka nisur një fushatë për të ngjasuar me SYRI-n.

“Ajo që po ndodh tani është një reklamë nuk e di kush e ka ideuar promon e atij televizioni, ‘Syri i majtë, Syri i djathtë’, është vërtet dëshpëruese.

Kopja është gjithmonë më e shëmtuar se origjinali. Po kur përpiqesh të bësh këtë gjë enkas, është vërtet dëshpëruese,” tha Hoxha.

Ai tregoi më pas edhe se si e kanë hequr nga puna, duke akuzuar se të gjitha vendimet në televizionin ABC, i merr Endri Fuga i Edi Ramës.

“Unë jam në vitin e 27-të që bëj këtë punë. Kemi parë çudira pa fund.

Nuk ka qenë në asnjë moment, media dhe pejsazhi mediatik kaq i kontrolluar nga një regji qendrore.

Televizioni ku punoja, pa më njoftuar fare, i është dhënë urdhër redaktores që filan person nuk del më në ekran. Dhe nuk kam dalë më.

Nga ai moment, për shkak se ngjarjet vazhduan, pa dashur gjatë rrugës nxora këtë materialin e 21 janarit, më thirrën dhe më thanë se mund të vesh aty dhe mund të japim dyfishin e rrogës, por duhet të komunikojmë me Fugën.

U thashë që nuk dua të jem në këtë bordero. Nuk më kishte bërë vaki, të gjithë njerëzit më thonin se do kthehesha në punë, por duhet të flisja me atë,” tha Hoxha.