Elda Hoti: Vendimi për përjashtimin e deputetëve, një përdhosje e parlamentarizmit
Deputetja e PD-së, Elda Hoti, e përjashtuar për disa ditë nga punimet e Kuvendit, ishte e ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto' në Syri Tv, u shpreh ndër të tjera se vendimi për përjashtimin e deputetëve të opozitës nuk është asgjë më shumë vetëm se një përdhosje e parlamentarizmit.
“Vendimi për të përjashtuar deputetët e opozitës nuk janë asgjë tjetër veçse një përdhosje e parlamentarizmit. U përjashtuan me nga 10 ditë nga seancat dhe komisionet sepse kërkuam të drejtën që na jep ligji dhe Kushtetuta, të drejtën për të folur, dhe kur kjo e drejtë vazhdon të na mohohet, çfarë duhet që të bëjmë ne atëherë?
Ne duhet të reagojmë sepse ky parlament ka dalë nga shinat e normalitetit, dhe kësaj mazhorance nuk i intereson aspak rregullorja sepse ato po e shkelin atë sa herë që ju nevojitet, na kanë përjashtuar duke kaluar afatet 38 orë të mbledhjes së këtij sekretariati dhe çfarë është më absurdja, një nga firmëtarët që ka firmosur kërkesën e marrjes së masës disiplinore është deputeti Baftjar Zeqja i cili është parë në Parlament duke votuar për një koleg i cili nuk ka qenë as i pranishëm. Pra është totalisht në shkelje të rregullores, dhe është po ky deputet që firmos për një masë disiplinore për gjashtë deputetë që s'kanë bërë asgjë tjetër veçse kanë kërkuar të drejtën për të folur. Por, siç dihet tashmë, ky parlament dirigjohet nga kryeministri, i cili siç u pa, tenton të godasë opozitën duke mos lejuar zërin e të vërtetës në parlamentin shqiptar” u shpreh Hoti.