Greqi/ Shkoi të shihte një ndeshje dhe u vra. Ku po e kërkojnë bandën e shtatë shqiptarëve?
Shtatë shqiptar të përfshirë në trafikun e drogës u përleshën me njëri tjetrin mbrëmjen e djeshme në një kafene, ku njëri prej tyre hapi zjarr dhe humbi jetën një klient që ishte aty për të parë një ndeshje futbolli.
Policët që po trajtojnë rastin, përveç xhipit të gjetur në afërsi të kafenesë dhe që dyshohet se i përkiste njërit prej shtatë shqiptarëve, kanë gjetur dhe një makinë të tipit Mercedez-Benz e cila dyshohet se i përket njërit prej 7 shqiptarëve.
Mjeti konkret është përmendur në deklaratat e banorit të zonës i cili ka përshkruar atë që ka parë në minutat e para pas ngjarjes së përgjakshme të së martës mbrëma.
Megjithatë, për momentin, shtatë shqiptarët nuk janë identifikuar, ndërsa identiteti i fatkeqit, po ashtu me origjinë shqiptare, i moshës rreth 30-35 vjeç, i cili mbeti i plagosur rëndë në klavikul dhe ndërroi jetë në spital, është ende një mister.
Kronika e ngjarjes:
Episodi i përgjakshëm ka ndodhur në orën 23:40 të së martës mbrëma në një kafe me nargjile në rrugën Kastamonis , në Nea Joni, ku një shqiptar ka mbetur i plagosur rëndë por që ndërroi jetë në spital më vonë.
Sipas informacioneve, gjithçka ka nisur kur një grup prej shtatë shqiptarësh kanë mbërritur në kafene dhe kanë nisur të debatojnë ende pa u ulur.
Më pas të shtatë dolën në rrugë jashtë kafenesë dhe njëri prej tyre nxorri armën dhe qëlloi.
Për pasojë, shqiptari fatkeq, i cili siç u konstatua nuk kishte lidhje me grupin e bashkatdhetarëve të tij që u grindën, ndërroi jetë.
Sipas informacioneve, viktima ndodhej në kafene për të ndjekur një ndeshje futbolli.
Pas plagosjes së shqiptarit, grupi prej 7 personash është zhdukur në drejtim të panjohur.
Shqiptari fatkeq u dërgua i plagosur në spitalin CAT ku ndërroi jetë pak para orës 03:00 pasi kishte humbur shumë gjak.
Rastin e ka marrë Departamenti i Vrasjeve, ku policia ka grumbulluar nga vendngjarja shtatë gëzhoja dhe një plumb të deformuar nga një pistoletë 9 gamë, ndërsa është vënë në kërkim të personit që ka qëlluar përmes kamerave të sigurisë së dyqanit.