Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Prokurorisë për 'Hakmarrjen për Drejtësi', lë në fuqi vendimin e Apelit
Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Prokurorisë për të ashtuquajturën "Organizata Hakmarrja për Drejtësi".
Togat e zeza u shprehën përmes një vendimi në Dhomë Këshillimi se, "nuk ka ekzistuar kurrë si e tillë dhe akuzat ndaj saj janë të fabrikuara politikisht nga persona të interesuar".
Vendimi është përfundimar duke lënë në fuqi dhe konfirmuar vendimin e mëparshëm të vitit 2017 të Apelit me të njëjtin argument.
Ish-Gjykata e Apelit për Krime të Rënda kishte dhënë vendimin në të njëjtin vit duke shfajësuar të gjithë personat e përmendur në këtë dosje.
Gjykimi ndaj organizatës filloi që në vitin 1998, por u rikthye me kërkesë të të akuzuarit kryesor Orik Shyti.
Ai bashkë mes 10 personave kanë marrë dënime nga 5 vjet burg deri në burgim të përjetshëm për disa krime të rënda.
REKURSI I PROKURORISE
Në datën 25 maj 2017, Gjykata e Lartë shpalli regjistrimin e çështjes me rekurs të prokurorisë, e cila është shprehur kundër vendimit që dha pafajësinë për të pandehurit e kësaj çështjeje.
Prokuroria kërkoi që çështja të kthehej në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe të zhvillohej shqyrtimi i provave, apo marrja e tyre rishtazi në lidhje me një sërë akuzash të rënda, ndaj Orik Shyti, Altin Arapi, Gentian Caka, Nikolin Novruzaj, Roland Shyti, Leart Shyti, Kreshnik Spahiu, Paso Novruzaj, Gëzim Gjoni e Dritan Hate.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit duhet të gjykoheshin për akuzat: “akte terroriste”; “vrasje në rrethana të tjera cilë- suese”; “vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë; “vjedhje me pasojë vdekjen” në dy raste; “vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit” në dy raste, “rrëmbim dhe mbajtje peng e personit në rrethana lehtë- suese” në bashkëpunim, në formën e organizatës kriminale etj.
AKUZAT/ 17 KRIMET E “HAKMARRJES PËR DREJTËSI”
29.01.1993 – Grabitet dega e valutës së Bankës së Kursimeve rreth 307 mijë dollarë
13.04.1993 Grabitet selia e shoqërisë “IAP”, ku vidhen rreth 53 mijë dollarë
15.12.1993 – Vritet tek “21 dhjetori” Sami Jata dhe nuk mund t’i vidhen lekët që transportonte
11.08.1994 – Shoqëria “Shkumbin Petrol” grabitet në mes të ditës, merret kasaforta dhe shpërthehet më vonë, ku i vodhën 2.6 milion lek të reja
12.10.1994 – Grabitet shoqëria “IAP”, merren 3.500 dollarë dhe plagoset roja Eduard Trimi
13.12.1994 – Vidhet me pasojë vdekjen shtetasi Pal Prendi nga Vlora, punonjës i pikës së grumbullimit të parave të “Gjallicës”. Grabiten 2 arka me para. Shuma 3 milion lekë.
14.01.1995 – Grabitet argjendaria “Agron”, në vlerën 576.377 lekë të reja
20.01.1995 – Grabitet Banka e Kursimeve dega në Vlorë, në vlerën 2.6 milion lekë
21.01.1995 – Grabitet kompania e sigurimeve shoqërore “INSIG”, ku grabiten rreth 156 mijë lek të reja, me pasojë plagosjen e punonjësit të kësaj shoqërie
03.03.1995 – Grabitet Ndërmarrja e Lëndëve Djegëse në Tiranë “Butongas”, ku i vidhen rreth 430 mijë lek të reja
12.04.1995 – Vritet dhe më pas i merren lekët shtetasit Pirro Komini, që transportonte lekët e “VEFA”-s në banesën e tij, në afërsi të Gjykatës së Tiranës. Vlera 18 milion e 500 mijë lekë i grabiten
15.06.1995 – Grabitet fabrika e sfungjerit “Albafon” në Laprak ku i vodhën rreth 940 mijë lek të reja
31.10.1995 – Rrëmbehet fëmija Erjon Nushi, prindërve u kërkohet 200 mijë dollarë, por lirohet 3 ditë më pas pa marr lekët e kërkuar
12.01.1996 – Grabitet filiali i shoqërisë “VEFA” në Vlorë, merren 145 mijë dollarë
18.04.1996 – Grabitet Banka Kombëtare Tregtare dega Vlorë, merren 2.2 milion lekë të reja
26.02.1996 – Vendosja e eksplozivit në super-marketin e kompanisë “VEFA” në Tiranë, vriten katër persona plagosen 17 të tjerë
26.07.1996 – Vritet ish-drejtori i burgjeve, Bujar Kaloshi në afërsi të shtëpisë së tij