SYRI TV/ Shqipëria konkuron Indinë, 2.4% e emigrantëve në Europë janë shqiptarë
Largimet masive e kanë renditur Shqipërinë me popullsinë e nëntë më të madhe të emigrantëve në Bashkimin Europian, madje duke konkurruar edhe Indinë, që ka një popullsi prej 1.4 miliardë banorësh. Gjatë vitit 2021, në Europë regjistroheshin 570 mijë emigratë shqiptarë.
Nga SYRI TV
Ndonëse vijnë nga njëri prej shteteve që ka një popullsi të vogël, shtetasit shqiptarë po zënë një peshë të konsiderueshme në vendet e Bashkimit Europian.
Sipas një raporti të fundit të INSTAT, shqiptarët renditen të nëntët në Europë, me rreth 2.4%, në listën e qytetarëve të cilët jetojnë në një nga vendet e Bashkimit Europian, por vijnë nga vende të cilat nuk janë pjesë e BE. Komunitetet më të mëdha janë marokenë, turq dhe sirianë, raporton Monitor.
Të gjitha shtetet që renditen mbi Shqipërinë, kanë një popullsi aktuale shumë më të lartë se e jona. Popullsia e Shqipërisë vlerësohet në rreth 2.8 milionë banorë, por do të jetë Censi i ri, që pritet të zhvillohet, që do të hedhë dritë mbi përmasat reale të popullsisë që ka mbetur akoma në vend.
Për nga pesha e popullsisë që jeton në BE, shqiptarët krahasohen me indianët, që vijnë pas nesh, në vend të dhjetë, por India ka 1.4 miliardë banorë.
Sipas statistikave të tjera të Eurostat, në vitin 2021, në BE kishte gjithsej rreth 570 mijë shtetas shqiptarë.
Emigracioni është një fenomen i pandalshëm që ndodh në të gjitha vendet e botës. Por, përmasat me të cilat vijon në Shqipëri janë tepër të larta, për madhësinë e vendit, çka tregohet dhe nga fakti që shqiptarët janë në shifra në ngjashme në BE me vende që kanë popullsi që e kalojnë 1 miliardë personat.